Pas rritjes së numrit të rasteve pozitive me COVID-19, kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi ka pyetur Qeverinë se kush është fajtori për rritjen e numrit të të infektuarve.
Kllokoqi përmes një postimi në “Facebook” ka kërkuar nga Qeveria që të diskutojnë edhe me njohës të fushave të ndryshme para se të marrin vendime për masat e reja.
“Ndaluni dhe mendoni pak para se të merrni vendime e masa të reja. Diskutoni me njohës të fushave të ndryshme. Merrni shembull vendet e ndryshme në rajon e gjithandej botës. Nuk është në rregull që kufijtë të jenë të hapur për të pavaksinuarit, të mos ketë dallime në mes të bizneseve që janë të fiskalizuara dhe atyre që funksionojnë në mënyrë informale, të mos ketë dallime mes të vaksinuarve dhe të pavaksinuarëve dhe në fund gjithmonë të jetë kurban gastronomia”, ka shkruar Kllokoqi.