Pas ShBA-së Kina e gjen armikun në Europë, ai është shteti i Çekisë

Prishtinë | 01 Sht 2020 | 19:43 | Nga Ekonomia Online

Sikur mos të mjaftonte tensioni gjithmonë e më i lartë me Shtetet e Bashkuara në zonën e Detit Kinez, si dhe lufta ekonomike me Uashingtonin, Pekini zyrtar ka deklaruar si “armik” një tjetër vend perëndimor, edhe pse jo aq strategjik.

Bëhet fjalë për Republikën Çeke, e cila sipas gjykimit kinez sapo ka thyer një nga tabutë e saj gjeopolitike, trajtimin e ishullit “rebel” të Tajvanit si një shtet sovran.

Kriza diplomatike mes dy vendeve filloi të dielën, kur kreu i Senatit çek, Milos Vystrcil, u prit në kryeqytetin Taipei në një vizitë zyrtare që Pekinit i tingëllon si e papranueshme.

Presidenti i Senatit të Republikës Çeke, Milos Vystrcil, e deklaroi veten tajvanez, teksa mbajti një fjalim në Parlamentin e Tajvanit.

Vystrcil e përfundoi fjalimin e tij në Parlamentin e Tajvanit duke iu referuar fjalimit të ish-nënpresidentit amerikan, John F. Kennedy, gjatë të cilit ai i tha Berlinit Perëndimor, të rrethuar nga komunistët, më 1963, se ai po ashtu është berlinas.

“Në vitin 1963, presidenti amerikan, John F. Kennedy, në fjalimin e tij të famshëm ‘Unë jam një berlinas’, kundërshtoi qartazi komunizmin dhe shtypjen politike, ndërsa mbështeti popullin e Berlinit Perëndimor”, tha Vystrcil.

“Ju lutem, më lejoni ta shpreh personalisht mbështetjen time për Tajvanin dhe vlerën themelore të lirisë dhe ta përfundoj fjalimin e sotëm me një deklaratë ndoshta më të përulur, por po aq të fortë: Unë jam tajvanez”, tha Vystrcil, duke e thënë frazën e fundit në gjuhën mandarine.

Ministri i Jashtëm i Kinës, Ëang Yi, tha se Kina do ta bëjë Vystrcilin “të paguajë çmim të lartë për sjelljen e tij dhe spekulimet politike”.

Ndërkohë që vetë ministria e Jashtme kineze flet për një “provokim të hapur” nga autoritetet e vendit të BE-së, tonet nga pala tjetër ishin më të qeta dhe me referime indirekte ndaj akuzave.

Ministrja e Ekonomisë së Tajvanit, Wang Mei-hua, nënvizoi gjatë takimit se “Republika Çeke dhe Tajvani janë vende të lira dhe demokratike që mbështesin të drejtat e njeriut”, ndërkohë që kreu i Senatit çek nënvizoi se “liria dhe demokracia janë bazat e prosperitetit”.

Gjatë viteve të fundit Praga zyrtare kishte filluar një seri marrëveshjesh me Pekinin, duke filluar nga teknologjia 5G, por tashmë duket sikur miqësia e tyre e shkurtër po venitet, dhe vizita në Taivan ishte një sinjal domethënës në këtë drejtim.

Të ngjashme