Pas skandaleve seksuale, kryeministri australian riformaton ekipin qeveritar

Prishtinë | 30 Mar 2021 | 14:09 | Nga Ekonomia Online

Një seri skandalesh seksuale dhe protestash detyruan të hënën kryeministrin e Australisë, Skot Morison, të riformatojë ekipin qeveritar.

Morison njoftoi zëvendësimin e prokurorit të përgjithshëm, Kristian Poter, dhe ministren e Mbrojtjes, Linda Rejnolds.

Poteri largohet pas akuzave se në vitin 1988 përdhunoi një vajzë 16-vjeçe, ndërsa ai vetë ishte 17 vjeç.

Çështja ndaj tij megjithatë nuk do të ndiqet penalisht pasi akuzuesja ka ndërruar jetë.

Ish-ministrja Rejnolds, ndërkaq, u shkarkua pasi fyeu dhe e quajti gënjeshtare një ish-pjesëtaren e stafit të saj e cila po ashtu akuzoi se qe përdhunuar nga një kolegu i saj në parlament.

Përveç skandaleve në qeveri, edhe Partia Liberale e kryeministrit Morison është vënë në vështirësi në ditët e fundit.

Në mediet janë publikuar disa raste të burrave që janë pjesë e personelit partiak, duke kryer akte të turpshme në ambientet e Parlamentit.

Këtë muaj gratë australiane kanë dalë në protesta për të denoncuar pabarazinë dhe dhunën seksuale që ushtrohet ndaj tyre.

Kryeministri Morison ka deklaruar se njëkohësisht me riformatimin e qeverisë, do të ngre edhe një task-forcë për të analizuar problematikat mbi pabarazinë, sigurinë dhe mirëqenien e grave në vend. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme