Pas skandalit me zyrtarin e vet EULEX merr vendim: S’ka më përdorim të veturave zyrtare jashtë orarit të punës

Prishtinë | 27 Tet 2021 | 13:57 | Nga Ekonomia Online

Tash e tutje asnjë punonjës i Misionit të EULEX-it nuk do të guxojë të marrë veturat e punës dhe t’i shfrytëzojë ato jashtë orarit.

Ky është urdhri që u ka shkuar me një e-mail zyrtare të gjithë pjesëtarëve të këtij misioni pas skandalit të fundit të publikuar në media kur u pa një zyrtar i EULEX-it me veturë të parkuar në rrugë.

Gjithashtu, sjellja e tij ishte shumë e pahijshme çka është cekur edhe në këtë e-mail të brendshëm, të cilën e ka parë Albanian Post.

Të shtunën e kaluar, një qytetar ka incizuar një zyrtar të EULEX-it, i cili kishte parkuar veturën zyrtare në trotuar.

Kur qytetari e pyet atë se “a parkon kështu në vendin prej nga vjen”, ai me arrogancë ia kthen se “kështu parkoj në Kosovë”.

Incizimi u bë viral nëpër media online në Kosovë dhe EULEX e policia lëshuan komunikata për media se do ta shqyrtojnë këtë rast.

Prandaj, shefit i EULEX-it, suedezi Lars-Gunnar Wigemark, ka marrë vendim dhe atë në mënyrë elektronike ua ka përcjellur të gjithë punëtorëve që më nuk bën që “veturat e EULEX-it të përdorën jashtë orarit të punës”.

Gjithashtu, në këtë letër u është thënë punëtorëve që të “shfrytëzojnë trafikun urban dhe forma të tjera alternative të udhëtimit”.

Gunnar Wigemark, që më parë ishte Shef i Delegacionit të BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Përfaqësues Special i BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë, është shprehur i shqetësuar në këtë email për “dëmtimin e imazhit të misionit dhe kredibilitetin e tij” edhe ashtu në rënie.

Gjithsesi, ende nuk është bërë e ditur se kush ishte zyrtari që “parkon ashtu në Kosovë” dhe cili është funksioni i tij Brenda misionit.

Gjithashtu, nuk dihet nëse ndaj tij është marrë ndonjë masë brenda EULEX-it, apo është shqiptuar ndonjë dënim nga Policia e Kosovës.

EULEX, apo Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, ka filluar në vitin 2008 si misioni civil më i madh në kuadër të Politikës së Përbashkët të Bashkimit Evropian për Siguri dhe Mbrojtje.

Misioni i përgjithshëm i EULEX-it, ishte thënë se është t’i mbështesë institucionet përkatëse të sundimit të ligjit në Kosovë në rrugën e tyre drejt rritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, shumë-etnicitetit dhe llogaridhënies.

Mandati aktual i EULEX-it është filluar për ta mbuluar periudhën deri më 14 qershor 2023 duke u bazuar në Vendimin e Këshillit CFSP 2021/904.

Në kuadër të mandatit të tij, Misioni zhvillon aktivitete të monitorimit dhe ka funksione ekzekutive të kufizuara.

EULEX-i vazhdon t’i mbështetë Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në përputhje me legjislacionin përkatës të Kosovës.

EULEX-i funksionon brenda kornizës së Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1244.

Të ngjashme