Edhe Oda e Mjekëve të Kosovës ka reaguar pas sulmit fizik ndaj një infermieri dhe një mjeku në Klinikën e Pulmologjisë në QKUK, raporton Gazeta Express.
Sipas kësaj Ode, sulmet e tilla, sidomos me mjekët që përballen direkt me virusin, janë veprime kriminale për të cilat duhet të shqiptohen sanksionet më të rënda të mundshme të parapara me ligjin penal.
Nga kjo Odë kanë kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që urgjentisht të procedoj ligjin për të drejtat dhe përgjegjësitë e mjekut.
Njoftimi i plotë:
Oda e Mjekëve të Kosovës me shqetësim, indinjatë dhe zhgënjim ka pranuar lajmin e sulmit ndaj kolegëve, mjekut G.H dhe infermieres T.N të cilët u sulmuan dje në hapësirat e vendit të punës duke ofruar shërbime shëndetësore, përkatësisht në Klinikën e Pulmologjisë. Sulmet e tilla sidomos me mjekët që përballen direkt me virusin janë veprime kriminale për të cilat duhet të shqiptohen sanksionet më të rënda të mundshme të parapara me ligjin penal. Sulmi ndaj mjekëve është bërë pjesë e protokollit të sjelljes së shërbimmarrësve nëpër institucione shëndetësore, ndërkaq mjeku është bërë viktima e përhershme e këtyre sulmeve serike të cilat si duket nuk kanë të ndalur.
Fatkeqësisht mund të konstatojmë se është hera e tretë mbas linqimeve publike të mjekëve ndodhin edhe këto sulme. Sot, çdo mjek dhe shërbyes shëndetësor ndihet i fyer, i braktisur dhe i indinjuar nga sulmet që po ndodhin dhe s’kan të ndalur. Vetëm gjatë këtij viti janë shënuar dhjetëra raste të sulmeve fizike dhe verbale ndaj mjekëve, të cilët në vendin e punës pa asnjë mbrojtje dhe asnjë kujdes të veçuar, janë duke iu ekspozuar veprimeve vandale dhe të dhunshme. Ndërkaq, shqetësues mbetet fakti që institucionet përgjegjëse, sidomos ato menaxheriale dhe ato të ndjekjes penale, me pasivitetin e tyre janë duke amnistuar këtë fenomen që tanimë janë bërë fenomen ditor.
Tani e disa herë, Oda e Mjekëve të Kosovës ka përsëritur kërkesën që sulmet e tilla ndaj mjekëve që ndërlidhen me veprimtarinë profesionale të tyre, të trajtohen në kuptim të sanksionimit penal në kuadër të sulmit ndaj personit zyrtar dhe që këto raste duhet të trajtohen me prioritet. Prandaj, më në fund, Prokuroria e Shtetit dhe Gjykatat duhet të vihen në veprim, sidomos në fazën e procedurës paraprake, në mënyrë që kryesve të këtyre veprave penale tu caktohet masa e paraburgimit, duke marr parasysh probabilitetin që vepra e tillë mund të jetë e përsëritur ndaj mjekut i cili i është ekspozuar veprimit të tillë kriminal. Nuk ka asnjë dyshim që mjekët, si persona që janë të legjitimuar me leje të veçantë të punës për të ofruar shërbime shëndetësore, legjitimim ky i bërë nën kompetencën publike, në kuptim të dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës janë persona zyrtar dhe si të tillë duhet të gëzojnë mbrojtje juridike nga cilido cënim i integritetit personal dhe profesional, në veçanti kur kemi të bëjmë me sulmet gjatë kryerjes së detyrës zyrtare dhe në vendin e punës.
Kërkojmë nga Ministria e Shëndetësisë urgjentisht të procedoj ligjin për të drejtat dhe përgjegjësitë e mjekut, pasi që nuk ka asnjë logjikë e shëndoshë që arsyeton vonesën e procedimit të këtij ligji.
Po ashtu, Oda e Mjekëve të Kosovës përsëri kërkon nga institucionet shëndetësore, autoritetet kompetente të nivellit qëndror dhe atij lokal, që të trajtojnë me seriozitetin më të madh sigurinë në vendin e punës, pasi që mundësia e ekspozimit ndaj kriminalitetit të dhunshëm ndaj mjekut është e madhe. Trendi i deri tanishëm e ka bërë që në kuadër të vlerësimit të rrezikshmërisë në vendin e punës të përfshihet edhe rreziku objektiv i cënimit të integritetit trupor të mjekut në vendin e punës.
Oda e Mjekëve të Kosovës do të përdorë të gjitha mjetet institucionale për të bashkëpunuar me akterët të tjerë shtetëror në mënyrë që të ndikojë në parandalimin e viktimizimit të mjekëve në shoqëri, si dhe të krijohen kushtet bazë të sigurisë në vendin e punës për të gjithë mjekët të cilët ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Republikën e Kosovës.
I bëjmë thirrje menaxhmenteve të institucioneve shëndetësore të bëjnë sigurimin e qetësisë së punës dhe sigurisë fizike të punëtorëve shëndetësorë, përndryshe do të përballen me padi për mossigurimin e hapësirave të punës për zhvillimin normal dhe të sigurtë të veprimtarisë tonë.
Kryetari i OMK-së
Dr. Pleurat Sejdiu, Mr.sci