Në mëngjesin e së mërkurës është sulmuar fizikisht ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Burgjeve të Kosovës, Sokol Zogaj. Sulmi nga personat e panjohur e ka lënë me lëndime trupore në kokë dhe kraharorë. Aktualisht, Zogaj, është duke u kuruar në QKUK.
Zogaj thotë se për gjithë ngjarjen janë organet e hetuesisë ato të cilat do të japin më shumë detaje. Tutje ai ka treguar se gjendja e tij shëndetësore është e mirë, transmeton GazetaExpress.
“Mirë jam me shëndet. Për gjithë atë se çfarë ka ndodhur do të merren organet e hetuesisë”, ka thënë ai.
Ndërkohë që i pyetur se a ka pasur ndonjë konflikt apo kërcënim nga ndokush, Zogaj nuk ka dhënë detaje.
“Nuk kam tjetër se çfarë të them”, është shprehur ai.
Në ndërkohë orë më parë Zogaj në ambientet e QKUK’së është intervistuar nga organet e hetuesisë. Zyrtari i lartë i burgjeve, Sokol Zogaj është sulmuar sot nga persona ende të panjohur në banesën e tij në Prishtinë.
Ndërkaq, Policia e Kosovës ka konfirmuar se rreth orës 07:00 Zogaj është sulmuar me mjete të forta, shufra ndërsa është dërguar për tretman mjekësor në spital.
Kurse në QKUK thonë se në 48 orët e ardhshme ai do të trajtohet në klinikën neurokirurgjie pasi plagët janë shkaktuar me një mjet të topitur. Lidhur me rastin kanë reaguar edhe organet e drejtësisë në Kosovë.