Parlamenti i Zelandës së Re ka votuar për të ndaluar të gjitha llojet e armëve gjysmë automatike dhe pushkëve sulmuese, pas sulmeve në Christchurch.
Projektligji për reformën e armëve kaloi me votim 119-1, pas leximit përfundimtar në parlament.
Kryeministrja Jacinda Ardern njoftoi ndryshimet në ligj pasi 50 njerëz u vranë muajin e kaluar nga një sulmues i armatosur në dy xhami në Christchurch.
Duke mbajtur lotët, ajo i tha parlamentit të mërkurën se ata ishin atje “për shkak të viktimave dhe familjeve”.
Ajo tha se kur vizitoi të lënduarit në spital asnjëri prej tyre nuk kishte vetëm një plagë me armë zjarri.
“Këto armë u projektuan për të vrarë, u prokejtuar për të prishur dhe kjo është ajo që ato bënë më 15 mars”, tha Ardern para deputetëve.
Australiani Brenton Tarrant, një supremacist i vetëshpallur i bardhë, përballet me 50 akuza për vrasje dhe 39 akuza për tentim vrasje.