Pas suspendimit të kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, gjyqtarët serbë bojkotojnë punën

Prishtinë | 25 Mar 2022 | 11:20 | Nga Ekonomia Online

Gjyqtarët serb të Gjykatës Themelore në Mitrovicë të premten kanë bojkotuar punën.

“Betimi për Drejtësi” raporton se asnjë gjyqtar serb i Gjykatës në Mitrovicë si dhe staf mbështetës, nuk është paraqitur në vend të punës gjatë të premtes.

Në këtë ditë ishte caktuar të mbahej seanca ndaj Halil Ahmetit, i akuzuar për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, por e njëjta ka dështuar pasi gjyqtari Radosllav Markoviq nuk është paraqitur në seancë.

Ky veprim i gjyqtarëve të komunitetit serb vie pasi Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në takimin 24 marsit 2022, ka marrë vendim që ta suspendojë kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë Liljana Stevanoviq, deri në një vendim të radhës.

Suspendimi i Stevanoviq vjen pas pjesëmarrjes së saj në takim me Aleksandër Vuçiq, president i Serbisë.

Lajmi për suspendimin e Stevanoviq u bë i ditur përmes një komunikate për medie nga KGJK, pasi e njëjta pikë ka qenë si pikë e mbyllur.

“Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me dy (2) pika të mbyllura për: shqyrtimin e njoftimit AGJ.nr.93/2022 të Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë si dhe themelimin e panelit hetimor për rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/07/2022/GJTHPR-AD/GJTHPR.nr.12/2022, me ç’rast vendosi për suspendim të Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, L.S, deri në vendimin e rradhës”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme