Dalëngadalë, teknologjia po e “pushton” futbollin. Pas VAR-it, që tashmë është teknologji e njohur për të gjithë adhuruesit e sportit të futbollit, po vjen “Virtual Coach”, një algoritëm që analizon në kohë reale informacionet e marra nga kamerat e fushës, për të ndihmuar trajnerin që të përmirësojë modelin e lojës.
Gjithashtu kjo teknologji do të përmirësojë edhe eksperiencën e tifozëve në stadium, duke mundësuar inkuadrimin e lojës me smartphone.
Ky projekt është i zhvilluar nga studiuesit e “Math & Sport” dhe është funksional vetëm për rrjetin 5G.
Kjo kompani është krijuar nga Universiteti Politeknik i Milanos dhe ka ndihmuar kombëtaren italiane të femrave në volleyball, që të fitojë medaljen e argjendtë në Botëror, nëpërmjet llogaritjeve matematikore.
Lidhur me këtë, themeluesi i kompanisë, Ottavio Crivaro, ka deklaruar:
“Po zhvillojmë një algoritëm që përpunon në vazhdimësi të dhënat që vijnë nga sistemet video dhe i dërgon të dhëna në kohë reale stafit teknik apo analistëve të ndeshjeve të dhëna specifike mbi të cilat të përmirësojnë modelet e tyre të lojës ose si t’i përgjigjen strategjive të kundërshtarëve”, u shpreh ai.
“Në këtë mënyrë do të jetë e mundur që të identifikohet menjëherë çfarë e ka bërë të efektshëm një veprim në sulm apo cilat lëvizje kanë gjeneruar rreziqe në mbrojtje”, shtoi Crivaro.