Kryeministri i vendit Avdullah Hoti ka thënë se pas një punë më shumë se 1 mujore është miratuar masterplani për vitin shkollor 2020-2021.
Pas përfundim të mbledhjes së Qeverisë, shefi i ekzekutivit ka mbajtur një konferencë për medie, ku u shpreh udhëzimet në këtë master-plan janë të detaizuara sesi do të vazhdojë procesi mësimor, raporton Ekonomia Online.
“Falënderoj IKSHPK-në dhe MSH-në që kanë punuar ngushtë gjatë kësaj kohe me ministrin e Arsimit dhe Shkencës për të zhvilluar protokollet e nevojshme që duhet të ndjekin arsimtarët në klasë, kujdestari i klasës, shkolla dhe komuna në rast se paraqiten raste të infektimeve nëpër shkolla”, tha kryeministri Hoti, duke shtuar se janë bërë përgatitje të nevojshme për një fushatë informuese të nxënëseve, për masat që duhet të respektohen, për organizimin e mësimit duke vendosur shenja dalluese nëpër shkollë dhe nëpër klasa për nxënësit.
“Jemi të vetëdijshëm se po e marrim përsipër një risk për të hapur shkollat sipas procedurave që duhet të ndiqen në kushtet e pandemisë, andaj kërkohet kujdes ekstrem i prindërve, i nxënësve, i arsimtarëve dhe i komunave, që të mos kthehen shkollat në vend ku përhapet virusi”, tha kryeministri Hoti, i cili u bëri thirrje prindërve dhe arsimtarëve që të marrin udhëzimet e nevojshme, t’i udhëzojnë fëmijët, nxënësit për respektim të plotë të masave që janë përcaktuar në detaje nga ministri i Arsimit.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, tha se në kuadër të këtij Master-Plani janë konceptet për realizimin e mësimit për secilin nivel të sistemit arsimor, janë paraqitur skenarët dhe fazat se si do të fillojë viti i ri shkollor, e po ashtu janë përshkruar edhe përgjegjësitë e secilit institucion të përfshirë.
“E falënderoj kryeministrin dhe kabinetin qeveritar që e miratoi master-planin që ka shumën afro 10 milionë euro. Aty janë fazat sesi do të fillojë ky proces mësimor dhe janë përgjegjësitë e secilit institucional. Falënderoj te gjithë donatorët të cilët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Ju lus që ti respektojmë protokollet dhe ti lexojmë udhëzimet në mënyrë që të tejkalojmë sa më lehtë këtë pandemi”, tha ministri.