Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca, ka folur lidhur me vendimin e mundshëm të Gjykatës Kushtetuese të dekretit të presidentit Hashim Thaçi, për mandatarin për formimin e qeverisë.
Konjufca në emisionin Rubikon në Klan Kosova tha se një vendim për dekretin e Thaçait për mandatarin do të japë edhe Komisioni i Venecias.
“Sa i përket pranimit edhe mospranimit të vendimit. Këtu nuk kemi pasur mundësi të shtjellojmë se çka është të mos pranohet. Të mos pranohet është të jesh në betejë konstante me një institucion që nuk pajtohesh me një vendim që ka mbajtur anë politik. Ne duam të vijmë në qeveri, por me votë të qytetarëve dhe jo me makiacione. Pas Gjykatës Kushtetuese një vendim do ta sjellë edhe një institucion. Është Komisioni i Venecias, që fatmirësisht ne jemi anëtarë. Këtu do të shohim se do të dalin argumentet tona. Ky komision ka përgjegjësi të interpretojë Kushtetutat e vendeve”.
Konjufca theksoi se Vetëvendosje po kërkon zgjedhjet e reja.
Kjo sipas tij është e mundshme të organizohen pas dy apo tre muajsh, pasi i tërë rajoni po hyn në ciklin e zgjedhjeve.
“Nuk ka mundësi që zgjedhjet të organizohen sa më shpejtë. Por brenda dy apo tre muajsh do të mund të mbahen, sepse rajoni po i mban zgjedhjet. Mali i Zi i ka në shtator”.
Numri dy i VV-së tha se si do të mund t’i ndodhë Albin Kurtit, njëjtë mund t’i ndodhë edhe Avdullah Hotit.
“Me të njejtën masë qysh LDK-ja e ka thirrë Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limajn për me ja nxan vendin Albin Kurtit, a mundet njëjtë që pas 51 ditësh Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, të takohen me Kadri Veselin, dhe Avullah Hotit të ia zë vendin Kadri Veseli”.