Pas vendimit të papritur të Ankarasë për të mos e ndaluar më kalimin e tyre në Evropë, me qindra refugjatë janë nisur drejt Greqisë dhe Bullgarisë.
Duke cituar agjencinë turke të lajmeve Demirören, The Guardian thotë se të paktën 300 vetë, përfshirë gra e fëmijë kanë filluar marshimin nga autostradat e përmes tokave të pyllëzuara në veri-perëndim të Turqisë drejt kufirit të BE-së. Në mesin e këtij grupi njerëzish ka sirianë, irakianë, pakistaneze e marokenë, thotë gazeta prestigjioze.
33 ushtarë turq u vranë mbrëmjen e së enjtes në Idlib nga forcat e regjimit të Bashar al Assadit dhe 36 të tjerë u plagosën. Ankaraja reagoi me sulme ajrore e kërkoi një takim të jashtëzakonshëm të Këshillit të Atlantikut Verior të NATO-s . Neni 4 i marrëveshjeve të aleancës parashikon që çdo vend aleat mund të kërkojë konsultime, nëse sipas tij, “paprekshmëria e rajonit, pavarësia politike dhe siguria e njërës prej palëve është e kërcënuar”. Në të njëjtën kohë, zëdhënësi i partisë në pushtet të Erdoganit, Ömer Celik tha se refugjatët që kërkojnë të shkojnë në Evropën Perëndimore, nuk do të ndalohen më.
“Politika jonë e refugjatëve është e njëjta, por ne kemi një situatë të re. Nuk mund t’i mbajmë më refugjatët”, u shpreh Celik. Presidenti turk Erdogan u konsultua në një takim krize dy orë me këshilltarët më të ngushtë. Në një deklaratë të mëvonshme, Siria u kërcënua me shpagim masiv. Trupat turke në orët e para të së premtes kanë sulmuar masivisht objektiva të regjimit sirian.