Pas vlerësimit për dhunën policore, avokati: S’duhet të lejohet të bie besimi në Policinë e Kosovës

Prishtinë | 08 Gus 2025 | 09:01 | Nga Ekonomia Online

Duke komentuar vlerësimet në mediumin “EURACTIV” për gjendjen në Policinë e Kosovës dhe për rastet e shumta të suspendimeve të policëve si pasojë e incidenteve ku përfshihen ata dhe përdorimit të tepruar të forcës gjatë përmbushjes së detyrës, avokati Ardian Bajraktari, në intervistë për Ekonomia Online, tha se nuk duhet të lejohet në asnjë formë që të bie besimi i qytetarëve dhe i publikut në Policinë e Kosovës, duke shtuar se mosbesimi në këtë institucion është me pasoja të mëdha.

“Institucioni i policisë është institucion i rëndësishëm i kategorisë kushtetuese, i cili sigurisht që është hallka e parë e ballafaqimit të qytetarëve kur ata ballafaqohen me veprime antiligjore.
Në këtë drejtim ky institucion duhet të punojë shumë në ruajtjen e kredibilitetit dhe të besimit të qytetarëve në këtë institucion.
Në këtë drejtim vlerësoj që këto krimet e fundit, edhe ai që ka ndodhur në Klinë, por edhe ky në Lipjan, mund të ndikojnë në uljen e besimit, mirëpo është përgjegjësi e policisë para së gjithash që këto raste të zbardhen sa më parë, të ketë epilog në mënyrë që natyrisht kjo të mos lejohet në asnjë formë që të bie besimi i qytetarëve dhe i publikut në këtë institucion, sepse mosbesimi në këtë institucion është me pasoja të mëdha”, tha për Ekonomia Online avokati Bajraktari.

Mediumi “EURACTIV” përmend edhe rastin e fundit të Agon Zejnullahut, për të cilin po akuzohen pesë policë të Kosovës si të dyshuar për “vrasje nga pakujdesia”.

Një zyrtar i BE-së, siç citon EURACTIV, ka thënë për mediumin se “dhuna policore në Kosovë është endemike”.
“Gjatë pesë viteve të fundit, BE ka investuar 3 milionë euro në ndihmë dhe 1.5 milionë euro në trajnim për policinë e Kosovës, së bashku me mbështetje më të gjerë përmes misionit të saj të sundimit të ligjit EULEX. Duke folur për Euractiv, një zyrtar i lartë i BE-së e përshkroi dhunën policore në Kosovë si “endemike””, shkruan EURACTIV.

Siç raporton ky medium, akuzat për rritje të abuzimit policor në Kosovë kanë pasur ndikim negativ tek qëndrimi i BE-së si një nga financuesit kryesor të Policisë së Kosovës.

“Akuzat në rritje për abuzim policor në Kosovë po ngrenë pyetje të pakëndshme për Bashkimin Evropian, financuesin dhe mbështetësin kryesor të forcës policore të vendit”, shkruan Euroactiv.

Të ngjashme