Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pasi Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nënshkruar një marrëveshje të madhe për gazin e lëngshëm natyror, si përpjekje për të zvogëluar varësinë e Evropës ndaj energjisë ruse.
Haradinaj ka rikujtuar se si Qeveria e Kosovës e ka refuzuar projektin e gazit amerikan.
Ai ka thënë se shpreson që pas kësaj marrëveshje, kryeministri dhe Presidentja ta ndryshojnë qëndrim dhe urgjentisht e t’i hapin rrugë projektit të gazsjellësit Shkup-Prishtinë.
Tutje, Haradinaj ka thënë se “gazpromi rus ka vdekur”.
“Për më keq edhe presidentja e vendit, nuk ka pasur kurajon ta thotë qoftë edhe një fjalë të vetme, për një projekt ekonomik e të sigurisë për Kosovën e rajonin, të miratuar nga vet Presidenti Biden!
Tash që kanë ndryshuar konceptet e të gjithë botës demokratike për Rusinë dhe gazin rus, shpresoj të ndryshojnë edhe konceptet e kryeministrit e të presidentes të Kosovës dhe të ndryshojnë qëndrim dhe urgjentisht e pa asnjë vonesë t’i hapin rrugë projektit të gazsjellësit Shkup-Prishtinë”, ka shkruar Haradinaj.
Ndryshe, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë arritur të premten një marrëveshje të madhe për gazin e lëngshëm natyror, si përpjekje për të zvogëluar varësinë e Evropës ndaj energjisë ruse.
Kjo marrëveshje është thënë se parasheh që 15 miliardë metra kub shtesë të gazit të lëngshëm natyror do të dërgohen nga SHBA-ja në BE, deri në fund të vitit.
Blloku evropian ka thënë tashmë se do të ndalë përdorimin e gazit rus, si përgjigje ndaj pushtimit rus në Ukrainë.
Kjo gjë nënkupton rritje të importeve dhe gjenerim më të madh të energjisë së ripërshtrishme.