Pas gjobitjes nga Agjencia për Informim dhe Privatësi për shkelje të privatësisë pasi faturat shpërndahen duke ekspozuar të dhënat e qytetarëve, Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka deklaruar se po e ka vështirë ta implementojë shpërndarjen e faturave me zarfe.
Në një komunikatë për media të mërkurën, KESCO ka thënë se e kishte testuar këtë metodë nga maji.
Megjithatë, sipas saj, ka vështirësi për shkak të mungesës së kutive postare e adresave.
“Kjo formë e re e shpërndarjes së faturave pa dyshim që po has në shumë vështirësi për ta implementuar në plotni. Një nga pengesat kryesore, është mungesa e kutive postare, mungesa e adresave dhe numri identifikues i shtëpive apo objekteve banesore. Këto po e vështirësojnë tejmase procesin e dorëzimit të faturave. Futja në zarfe e të gjitha faturave, përpos pengesave në terren, po ngadalëson edhe komplet procesin e leximit dhe faturimit”, ka shkruar KESCO.
Kjo kompani ka bërë thirrje për alternativa tjera duke e quajtur esencial “bashkëpunimin ndërinstitucional që të gjendet zgjidhja sa më e mirë dhe sa më efikase, benefitet e të cilave do t’i korrnin konsumatorët fundor”.
Ditë më parë, AIP-ja njoftoi se ka gjobitur KESCO-n për mosndërmarrje të masave të nevojshme të sigurisë në përpunimin e të dhënave personale gjatë shpërndarjes së faturave për qytetarët.