Ish-deputetja e LDK-së, Vlora Limani-Hajnuni, e cila së fundmi u emërua këshilltare e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas punësimit të saj dhe avancimit të bashkëshortit të saj në Shërbimin Korrektues të Kosovës.
Limani-Hajnuni e cila kishte votuar pro mocionit për rrëzimin e Qeverisë Kurti I, gjatë pandemisë, duket se është penduar për atë votë. Ajo përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ka bërë gabim kur ka votuar për mocionin ndaj qeverisë si deputete e LDK-së.
Tutje Limani-Hajnuni thotë se pas angazhimit të saj në degën e Vetëvendosjes në Lipjan po i përdoret vota e saj sa ishte deputete e LDK-së.
Postimi i plotë:
Ditëve të fundit ka pasur disa lajme nëpër disa portale që kanë shkruar për angazhimin tim në kuadër të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Së pari unë jam anëtare e Vetëvendosjes që para një viti dhe pjesë e strukturave të Lëvizjes. Angazhimi im në Lëvizje ka ardhur si rrjedhojë e natyrshme e një angazhimi më të gjerë dhe afatgjatë në Qendrën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Lipjan. Lipjani ka nevojë për qasjen e programin e Lëvizjes, për të cilin angazhohem përditë e pa ndalur. Zaten, pikërisht angazhimi i fundit në Lipjan në denoncimin e keqpërdorimeve është edhe motivi i sulmeve, përmes të cilave synojnë ta largojnë vëmendjen e publikut dhe të ngjallin dallime në mesin e anëtarëve të LVV-së.
Pikërisht tash po e përdorin votën time si deputete e LDK-së. Po të jem e sinqert vota për mocionin ndaj Qeverisë ka qenë gabim. Kjo u vërtetua edhe në zgjedhje, por po vërtetohet edhe sot nga qeverisja e mirë e Qeverisë Kurti, sikurse që anëtarësimi im në VV është distancimi më i mirë.
Në Lëvizje nuk kam ardhur me asnjë kërkesë personale, por që të punojmë bashkë siç po punojmë për ta forcuar Lëvizjen. Së fundi dhe pasi që kompetencat për shërbimet sociale i kanë kaluar Ministrisë së Drejtësisë dhe faktit që për një kohë kam qenë Drejtoreshë e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Ministrja Haxhiu më ka ftuar të kontribuojë në kuadër të Grupit Punues për hartimin e dokumentit për vlerësimin e punës së qendrave për punë sociale.
Nëse ky angazhim i përkohshëm i ka penguar sado pak qoftë edhe një anëtari të vetëm të Lëvizjes, unë nuk e pranoj këtë angazhim të përkohshëm, sado që e kam parë veç si kontribut. Por për një gjë ju garantoj se me apo pa këtë angazhim të përkohshëm do ta vazhdojë angazhimim e kontributin për Lëvizjen. Jo të gjithë anëtarët e Lëvizjes e kanë datën e njëjtë të anëtarësimit, por qëllimet i kanë të njëjta: për ta parë vendin më të mirë e më të zhvilluar. Ndërsa për ata kundërshtar të Lëvizjes, ju them hapur e qartë se veç më të fortë do të jemi, sidomos në Lipjan.