Afro një milion euro të taksapaguesve janë shpenzuar nga Qeveria e Kosovës si ndëshkim për mostërheqjen e mjeteve të kredisë nga institucionet financiare ndërkombëtare, që janë destinuar për projekte të ndryshme kapitale.
Nga viti 2011, Kosova ka hyrë në kredi të jashtme në vlerë 519.7 milionë euro. Por, për shkak të keqmenaxhimit, deri tash janë tërhequr vetëm 33 milionë euro, shkruan sot Koha Ditore.
Dështimi në tërheqjen e fondeve është pasojë e planifikimit të dobët dhe mungesës së kapaciteteve qeveritare për ta shfrytëzuar në mënyrë efektive dhe efikase huamarrjen. Studimet e dobëta të fizibilitetit të projekteve, mangësitë në krijimin e parakushteve të nevojshme për eliminimin e pengesave infrastrukturore dhe ligjore në realizimin e këtyre projekteve, kanë bërë që disa prej tyre të ridizajnohen e disa kredi të tkurren në vlerë.
Përveç ngecjeve në realizimin e projekteve të parapara me kredi, Kosova ka ngecur edhe në thithjen e investitorëve të huaj. 20 vjet pas luftës, Kosova nuk ka asnjë investitor strategjik. I gjithë investimi që është bërë është kryesisht nga diaspora. Këto investime që i afrohen një miliard euro në vit kanë përfunduar kryesisht në blerjen e patundshmërive dhe në konsum.
Njëra nga arsyet e mungesës së investimeve të huaja, sipas ekspertëve të ekonomisë, është pasiguria. Në një anketë, që kishte bërë Banka Botërore e Kosovës, vite më parë, rreth 50 për qind e investitorëve potencialë kishin deklaruar se nuk vijnë për të investuar në Kosovë për shkak të situatës politike.
Imazhi i keq i krijuar para botës ka bërë që Kosova të mos jetë na hartën e investimeve. Madje prania e ndërkombëtarëve në Kosovë e bën Kosovën të njihet ende si vatër e krizës.