Shahin Zeqiri ka dhjetë ditë që po qëndron i shtrirë në Klinikën e Pulmologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Problemi i tij shëndetësor me frymëmarrje, u përkeqësua edhe më shumë për shkak të ndotjes së ajrit.
“Unë që 41 vjet kam probleme me frymëmarrje. Para 10 ditëve, kam dal me shëtit pak në Fushë Kosovë, jam sëmurë në rrugë edhe më kanë marrë mjekët më kanë sjell këtu në spital. Ajri më ka penguar shumë, edhe më pengon”, tha ai për Ekonomia Online.
Por, Zeqiri nuk është pacienti i vetëm i shtrirë në këtë klinikë.
Skënder Baca, pulmolog tha për Ekonomia Online se si pasojë e ndotjes së ajrit brenda muajit rreth 15 persona janë trajtuar në mënyrë ambulantore, ku tre prej tyre janë shtrirë në klinikë.
“Fatmirësisht numri është shumë i vogël, brenda muajit kemi dy-tre pacientë të tillë, po flasim për ata të shtrirë, në mënyrë ambulantore vijnë më shumë 10-15 në ambulancën tonë specialistike, e në ambulancën tonë specialistike çdo ditë i kontrollojmë diku 40-50 pacientë e gjatë muajit 10-15 pacientë ankohen drejtpërdrejt në ndotjen e ajrit”, tha Baca
Sipas Bacës, pacientët me probleme të mushkërive, janë ankuar se për shkak të ndotjes së ajrit, gjendja e tyre është përkeqësuar.
“Këto raste i kemi të evidentuara në bazë të anamnezës, ankesa e tyre është që sëmundja e tyre kronike obstruktive e mushkërive është përkeqësuar për shkak të ndotjes së ajrit. Kjo do të thotë që ata ankohen se kur kanë dalë jashtë, kanë filluar të përkeqësohen gjendja me kollë, këlbazë, temperaturë, ethe, etj, dhe këtu gjithmonë kryqëzohen edhe komponentët tjerë që janë virozët ose gripi, po grip ende nuk kemi fatmirësisht në Kosovë”, u shpreh Baca për Ekonomia Online.
Baca, thotë se zakonisht këta pacientë janë të moshës 60-65 vjeçare.
Ai më tej, thotë se ndonëse nuk janë të kënaqur me kualitetin e ajrit, fatmirësisht nuk ka pasoja të rënda apo akute te pacientët.
“Si në gjithë botën edhe tek ne, ndotja e ajrit renditet në vendin e tretë pas duhanpirës dhe faktorit gjenetik, është faktori i tretë i cili ndikon në paraqitjen e sëmundjeve kronike obstruktive të mushkërive edhe kjo pastaj ka reperkusione edhe në invaliditet edhe në mungesë nga puna, e në fund edhe në mortalitet në vdekshmëri. Ne nuk jemi të kënaqur me kualitetin e ajrit, mirëpo, në aspektin shëndetësor fatmirësisht nuk kemi pasoja të rënda apo akute, sepse organizmi ka organizmat mbrojtës”, theksoi pulmologu i cili shtoi se këto 20 vjetët e fundit, numri i pacientëve që lidhen drejtpërdrejtë me ndotjen e ajrit ka qenë pothuajse i njëjtë.
Baca bëri edhe apel ndaj institucioneve përgjegjëse të punojnë në përmirësimin e gjendjes së ajrit.
“Apeloj te qytetarët që të kenë kujdes, natyrisht edhe shoqëria civile edhe agjencionet qeveritare që kujdesën për kualitetin e ajrit, duhet të punojnë natë e ditë, që ky ajër të jetë më i pastër”, tha ai.
Ndërsa, ekspertët nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, paralajmërojnë dhe alarmojnë se nëse nuk merren masa urgjente për ndotjen e ajrit, do të ketë efekte negative në dëmtimin e shëndetit dhe rritja e vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet e sidomos nga sëmundjet kardiovaskulare dhe respiratore do të jetë shqetësuese.