Gjashtë turqit e deportuar javën e shkuar në Turqi nuk do të jenë të vetmit që do t’i vuajnë pasojat e aktit të vasalitetit që fundjavën e shkuar demonstroi Kosova në raport me pushtetin në Ankara. Dëme të mëdha janë paralajmëruar për vetë Kosovën.
Së paku në dy drejtime janë shfaqur pasojat tashmë. Nga brenda është krijuar klimë mosbesimi mes vetë akterëve institucionalë, kanë pasuar largime nga detyra e janë paralajmëruar edhe të tjera dhe është rritur potenciali për zgjedhje të parakohshme, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në raport me Turqinë, janë rritur tensione pas polemikave në distancë ndërmjet presidentit turk, Recep Tayyp Erdogan, dhe kryeministrit kosovar, Ramush Haradinaj. E shkaku i këtij deportimi ka drojë se shteti i ri do të shihet me sy tjetër edhe nga partnerët strategjikë perëndimorë.
Dhjetë ditë më parë, në një aksion që e drejtoi Inteligjenca kosovare në bashkëpunim me atë turke, për të cilin autoritetet më të larta shtetërore në Kosovë thanë të mos ishin në dijeni, u kapën dhe me urgjencë u dëbuan gjashtë persona që kishin leje qëndrimi të rregullt, por që në Turqi cilësohen si terroristë..