“Pastrimi” njofton për vështirësi në grumbullimin e mbeturinave

Prishtinë | 07 Tet 2026 | 18:02 | Nga Ekonomia Online

Kompania Rajonale e Mbeturinave (KRM) “Pastrimi” ka njoftuar qytetarët se gjatë dy ditëve të fundit ka pasur vështirësi në realizimin e shërbimit të grumbullimit të mbeturinave në disa pika, për shkak të situatës së krijuar në komunikacion dhe kufizimeve në qasje në disa segmente rrugore, raporton Ekonomia Online.

Përmes një njoftimi, kompania ka bërë të ditur se ekipet në terren nuk kanë mundur të operojnë sipas dinamikës së zakonshme, ndërsa kufizimet në transportimin e mbeturinave drejt deponisë qendrore kanë ndikuar më tej në kapacitetet operacionale.

“Gjatë dy ditëve të fundit, për shkak të rrethanave të krijuara në komunikacion dhe kufizimeve në qasje në disa segmente rrugore, ekipet e KRM ‘Pastrimi’ nuk kanë pasur mundësi që në disa pika ta realizojnë shërbimin sipas dinamikës së zakonshme.

Njëkohësisht, mundësia e transportimit të mbeturinave drejt deponisë qendrore është e kufizuar deri në orën 12:00, gjë që ka ndikuar në kapacitetin tonë operativ në terren”, thuhet në njoftim.

KRM “Pastrimi” ka bërë të ditur se ekipet e saj do të intensifikojnë punën sapo të normalizohen kushtet e qarkullimit, me qëllim që shërbimi të rikthehet në gjendje të rregullt në të gjitha pikat e prekura.

“Ekipet tona janë të angazhuara që, me normalizimin e kushteve të qarkullimit, të intensifikojnë punën dhe të rikthejnë sa më shpejt gjendjen në normalitet në të gjitha pikat e prekura”, thuhet më tej në njoftim.

Të ngjashme