Pastrohet Dobreva, apelohet të gjobiten ndotësit e mjedisit

Prishtinë | 24 Nën 2018 | 12:32 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Organizata “Let’s Do It Kosova” ka vazhduar aksionin e pastrimit në fshatin Dobrevë të komunës së Fushë-Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Luan Hasanaj, drejtor ekzekutiv i Let’s Do It Kosova, tha se me afrimin e përfundimit të aksionit “Ta Pastrojmë Kosovën”, më 15 dhjetor, fokus kryesor do të jetë mbikëqyrja dhe gjobitja e atyre që hedhin bërllok.

Ndërsa, ka apeluar tek institucionet që të gjobisin ndotësin e mjedisit dhe njëkohësisht të kenë kujdes në dhënien e lejeve të ndërtimit, pasi sipas tij ato po shkaktojnë probleme të tjera që po pasojnë me ndotje të mjedisit nga mbeturinat.

Ai ka thënë se para se gjithash, përgjegjësia më e madhe në ruajtje të mjedisit u takon qytetarëve.

“Ne çfarë do kërkonim përpos një angazhimi shtesë të institucioneve që duhet të kujdesen për këto hapësira, duhet t’i gjobisin ata të cilët i krijojnë këto situata, duhet të kenë kujdes edhe kur i japin lejet e ndërtimit, sepse sa ne e kemi vërejt, asnjë leje e ndërtimit që jepet, nuk e sanksionon vendosjen e kontinierëve aty që mbetjet ndërtimore të vendosen dhe pastaj të shkojnë nëpër lokacionet që janë të përcaktuara për to.

“Jemi të gjithë bashkë, kërkojmë mbi të gjitha përgjegjësi dhe përgjegjësia në radhë të parë bie mbi institucionet komunale, mandej qendrore por më së shumti prej qytetarëve”.

Besmir Kokollari, koordinator i grupit teknik të Task-Forcës të MMPH për pastrimin e mjedisit, ka kërkuar nga komuna e Fushë Kosovës të marrë masa në gjobitje të personave që hudhin mbeturina në vende publike.

“Në emër të MMPH, i kërkoj komunës së Fushë Kosovës të ndërmerr masa përmes inspektoratit në gjobitjen, në zbatimin e udhëzimit administrativ për gjoba mandatore, për shkak se ky lokacion i cili është i mbushur me mbetje inerte të forta mos të përsëritet kjo gjendje por të bëjnë punën e tyre inspektorati komunal”.

Aktori i njohur kosovar, Jeton Zogiani, ka thënë se kjo është një inicativë e mirë dhe se sa herë është i qasshëm, do të kontribojë në pastrim bashkë me vullnetarët tjerë.

Ai ka thënë se iniciativa të tilla duhet të ndërmirren më shpesh dhe në më shumë lokacione, ndërsa është shprehur se kjo gjendje në Dobrevë ka ardhur nga kalimtarët e jo nga banorët e këtij fshati.

“Gjendja me kalimin e kohëve po vjen duke u përmirësu, ka qenë shumë më e keqe dhe tash ka ardhë duke u përmirësu, duke u vetëdijësu njerëzit, duke mos gjuajt mbeturina në vende publike”.

“Mendoj që gjuajta e mbeturinave në këtë zonë vjen prej kalimtarëve, jo prej qytetarëve të zonës sepse ata janë shumë të vetëdijshëm se këtu jetojnë dhe nuk e kanë vullnetin me e ndotë ambientin ku fëmijët e tyre jetojnë dhe të rriten në një ambient të papastër. Kryesisht, këto janë zona pak të lëna pas dore, ku njerëzit hudhin mbeturina duke mendu që nuk shihen, por megjithatë ato një ditë grumbullohendhe duken se janë bërë shumë”.

“Duhet me u vetëdijësu shumë, të punojnë shumë që të mos jemi ajo njolla e zezë në rajon për ambient, për ajër, për ndotje, për gjithçka që është keq e më keq, por të jemi si shembull i mirë, që të jemi ata që e ruajmë ambienti, që e pastrojmë ambientin, që e mirëmbajmë shtëpinë tonë”.

Mbi 50 thasë me mbeturina dhe 12 kamionë me mbetje interte janë larguar gjatë aksionit të sotëm të pastrimit në një deponi, në fshatin Dobrevë të Komunës së Fushë Kosovës.

 

Të ngjashme