Disa qytetarë vullnetar të Komunës së Drenasit, gjatë vikendit kanë marrë aksion për pastrimin e gjelbërimit tek pishat e fshatit Gllobar.
Ky aksion i qytetarëve ka ndikuar në përmirësimin e ambientit të parkut dhe Kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, falënderon qytetarët aktiv për këtë aksion dhe inkurajon të gjithë qytetarët të marrin aksione të tilla vullnetare në vendbanimet e tyre për t’u përkujdesur për ambientin që na rrethon.
Në kuadër të pastrimit të pishave, është bërë prerja e barishtave në këtë pjesë, po ashtu janë vendosur edhe disa karrige dhe tavolina për vizitorët.
Komuna e Drenasit këtë vit, ka projekt për rregullimin e stazave/shtigjeve për ecje për të krijuar një park të shfrytëzueshëm për qytetarët e Komunës së Drenasit.
Ftojmë personat që vizitojnë këtë park, të jenë të kujdesshëm dhe të mos hedhin mbeturina, sepse me një ambient të pastër, ruhet edhe shëndeti ynë.