Pasuesja e Nënë Terezës, motër Prema viziton Shqipërinë

Tianë | 22 Qer 2018 | 11:44 | Nga

Ndalesën e radhës në Shqipëri, motër Prema e bëri në misionin e saj në Pukë. Murgesha katolike më e rëndësishme në botë, pasuese e nënë Terezës, është pritur në bashkinë e Pukës nga kryebashkiaku, Gjon Gjonaj, dhe zyrtarë të tjerë të administratës.

E befasuar nga pritja e veçantë, drejtuesja e misionit të Nënë Terezës në botë mori falënderimet e kreut te bashkisë i cili e konsideroi këtë si një vizitë të veçantë, pas bekimit që Nënë Tereza i bëri Pukës në vitin 1992.

Me tej, kryebashkiaku Gjonaj u ndal dhe tek bashkëjetesa fetare, ndërsa kujtoi momentin kur myftiu i ndjerë i Pukës, Haxhi Hafiz Elez Hoxha u takua me Nënë Terezën e cila hoqi kryqin e saj nga qafa dhe ia dhuroi Hoxhës.

Motra e misionit bamirës të Nënë Terezës, motër Prema ka falënderuar kryebashkiakun e Pukës për pritjen surprizuese, ndërsa tha se Nënë Tereza ashtu siç kishte dashuri për Shqipërinë dhe kryesisht për Pukën, si zonë e largët e me vështirësi, ashtu e shikon këtë zonë dhe sot nga qielli.

Kryetari Gjonaj më pas i ka dhuruar drejtueses së misionit të Nënë Terezës, certifikatën e mirënjohjes, ndërkohë që ajo është befasuar sërish kur ai i dhuroi një bust të Nënë Terezës, flamurin shqiptar dhe dhurata të tjera në shenjë mirënjohjeje.

Murgesha katolike i dhuroi kryebashkiakut dhe gjithë të pranishmëve foto të Nënë Terezës me thënie të saj, të cilat ishin bekuar pranë varrit të Shën Terezës. Motër Prema ashtu siç u prit ashtu dhe është përcjellë nga kryebashkiaku në oborrin e bashkisë me urimet e ndërsjellta dhe emocionuese.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme