Paulinho në mesin e futbollistëve që kanë mbetur të ngujuar pas kufizimeve të vendosura nga Kina

Prishtinë | 30 Mar 2020 | 11:27 | Nga Ekonomia Online

Oscar dhe Hulk arritën me kohë në Kinë, por braziliani tjetër Paulinho raportohet se i prinë një liste të gjatë të yjeve të huaj që nuk kanë arritur të futen në Kinë, pasi vendi po tenton të ndalojë rastet e importuara me koronavirus, shkruan agjencia AFP, transmeton Koha.net.

Nuk ka shenja se ish-mesfushori i Barcelonës është i infektuar me virusin, por Kina ka mbyllur kufijtë në fundjavë për të huajt që po kthehen, edhe për ata që kanë leje pune dhe banimi.

Ish-sulmuesi i West Ham Unitedit, Marko Arnautoviq po ashtu është në mesin e më tepër se 30 futbollistëve e trajnerëve të huaj që nuk kanë arritur me kohë në Kinë, duke i dhënë kështu një goditje tjetër Superligës së Kinës dhe gjasave që të rinisë së shpejti stinori.

Por, klubi i Arnautoviqit, Shanghai SIPG pati më tepër fat me Oscarin, Hulkun dhe transferimin e ri Ricardo Lopes, të cilët arriti që me një aeroplan privat t’i sjellë nga Brazili.

Ata arritën në Shanghai të premten mbrëma së bashku me familjet e tyre, kanë njoftuar mediumet lokale, ndërsa ishin nisur nga Sao Paulo dhe ishin ndalur shkurtazi në Malta për mbushje me karburant të aeroplanit.

Treshja do të kalojë 14 ditë në izolimin e kërkuar nga qeveria e Kinës për të gjithë të huajt, që po ashtu do të parandalojë përhapjen e koronavirusit te pjesa e tjetër e skuadrës.

Por, braziliani Paulinho 31-vjeçar dhe bashkëkombasi i tij Anderson Talisca, kanë dështuar të kthehen me kohë te kampioni i Kinës, Guangzhou Evergrande, ka njoftuar “Guangzhou Daily”.

Reprezentuesi i Kolumbisë, Gio Moreno i Shanghai Shenhuas po ashtu ka mbetur i ngujuar në vendlindje, pasi janë pezulluar shumë linja ndërkombëtare ajrore shkaku i virusit.

Marouane Fellaini, mesfushor i Shandong Lunengut, është rasti i vetëm i njohur me koronavirus në Superligën e Kinës, ndërsa është kthyer së fundi në Kinë.

Nuk është e qartë se kur Kina do të heq kufizimet për të huajt, pasi të enjten ka njoftuar për masat e përkohshme.

Fabio Cannavaro, trajneri i Guangzhou Evergrandes, është në Kinë dhe ka postuar një foto duke bërë xhiro me biçikletë në fundjavë, pasi ka kompletuar periudhën e izolimit.

Stinori i Superligës së Kinës në futboll ishte paraparë të fillojë më 22 shkurt, por është shtyrë në afat të pacaktuar pas shpërthimit të koronavirusit.

Të ngjashme