Pavarësisht lodhjes, qytetarët pajtohen me zgjedhje të reja

Prishtinë | 28 Tet 2025 | 13:02 | Nga Diellza Gashi

Nëse zgjedhjet e parakohshme do të jenë zgjidhja e vetme për dalje nga ngërçi politik, atëherë  Kosovës i bie të përballet me katër palë zgjedhje vetëm brenda një viti, raporton Ekonomia Online. Megjithatë, qytetarët janë të gatshëm që të dalin edhe njëherë e t’iu drejtohen kutive të votimit.

Ata vlerësojnë se vota është e vetmja mundësi për ta bërë ndryshimin.

Nevruz Nushi tha se çdo qytetar që e do të mirën e vendit duhet të marrë pjesë në zgjedhje.

“Zgjedhjet kur bëhen çdo qytetar i ndershëm që ia do të mirën vendit duhet të dalë në zgjedhje dhe me bë zgjedhje. Lodhja është evidente kur ke opozitë të pandershme që nuk i sheh fundin e këtyre fëlliqësirave që e kanë sjellë situatën në këtë gjendje. Zgjedhje është zgjedhje e reja”, ka theksuar Nushi.

Ndërkaq, qytetari Izet Zhitia theksoi se populli është lodhur nga situata politike dhe kërkoi më shumë përgjegjësi nga udhëheqësit.

“Pa i zgjedh ne nuk mund t’i zgjedh askush, ne duhet me i zgjedh ata, duhet me vazhdu me vete dhe jo me u hidhëru, si po sillen ata po bëjnë hajgare me popullin, ajo është shumë keq, populli është lodhur, është stër lodhur, me lëshu çdo ditë televizionin dhe me thënë gjëra që duan. Kjo na ka lodhur shumë neve, nuk po kemi ku të ikim po duhet me i dëgju, çka po i dëgjojmë, sharje, degjenerime, mashtrime, gënjeshtra, janë të parët që duhet me na dhënë shembull një kryeministër duhet të jetë shembull që populli ta votojë prapë. Ata marrin pagën më të madhe se të gjithëve, ata me ia ndal një cent sytë ti nxjerrin ama me punuar jo. Ajo është keq me e keqja e njeriut që pretendon të jetë i ndershëm.

Një tjetër qytetar shtoi shkurt: “Po natyrisht që duhet me votu. Natyrisht që do të dalim.”

Ndryshe pas mbajtjes së zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kosova ende nuk ka arritur të formojë një qeveri të re, pavarësisht më shumë se 50 seancave parlamentare. Mungesa e një marrëveshjeje për koalicion mes partive ka shtyrë vendin drejt një tjetër krize politike, ndërsa partitë opozitare dhe qeveria në detyrë tashmë janë shprehur të gatshme për zgjedhje të reja.

Të ngjashme