Pas pretendimeve se disa kompani po e shqyrtojnë tërheqjen e mbështetjes së tyre fillestare për kriptovalutën e Facebookut, Libra, Paypal ka njoftuar se po e braktisë Libra Association – organin fitimprurës udhëheqës i cili e menaxhon kriprovalutën Libra. PayPal thekson se vazhdon t’i mbështesë përpjekjet e Libra edhe në të ardhmen, por që në këtë moment dëshiron të përqendrohet në punën e vet, raporton AndroidCentral.
Tani për tani nuk është plotësisht e qartë se pse PayPal është larguar nga projekti Libra, por më herët u njoftua që disa kompani (si Visa dhe Mastercard) kanë qëndrim të rezervuar për kriptovalutat pasi që bankat dhe qeveritë në mbarë botën filluan të dyshojnë në projektin, shkruan KOHA Ditore.
Në një deklaratë për këtë temë, PayPal thotë: “PayPali ka vendosur të heqë dorë nga pjesëmarrja e ardhshme në projektin e Libra Association dhe të vazhdojë të përqendrohet në avancimin e misionit të vet dhe prioriteteve të biznesit, në një përpjekje për ta demokratizuar qasjen në shërbimet financiare për një popullatë e cila nuk ka qasje aktualisht në to.”
Duke iu përgjigjur vendimit të PayPal, Dante Disparte, udhëheqës i politikave dhe komunikimeve në Libra Association, theksoi: “E kemi të qartë që ndryshimet janë gjithmonë të vështira, dhe se çdo organizatë që e ka filluar këtë udhëtim duhet t’i analizojë rreziqet dhe shpërblimet e veta që rrjedhin nga ndryshimet që i premton Libra”.
Edhe pse vendimi i tillë i PayPalit është një goditje e madhe për Libra Association, të dy kompanitë mund të ribashkohen në të ardhmen nëse përmirësohet situata rregullatore. Paypal tha se i mbështet përpjekjet dhe qëllimet që Libra po përpiqet t’i realizojë dhe se do të lidhë partneritet me Facebookun në të ardhmen.