PD kërkon që të formohet Komisioni për Reformën Zgjedhore

Prishtinë | 27 Tet 2021 | 14:30 | Nga Ekonomia Online

Partia Demokratike ka dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë kërkesën për t’u ngritur një Komision i Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Klan News raporton se Partia Demokratike kërkon që Komisioni të zbatojë rekomandimet e OSBE-ODIHR.

“Komisioni ka për detyrë hartimin e ndryshimeve kushtetuese dhe të kuadrit ligjor zgjedhor për trajtimin e rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 25 Prillit 2021 dhe zgjedhjeve të mëparshme të patrajtuara, rekomandimeve të institucioneve përgjegjëse për zgjedhjet, partive politike parlamentare dhe organizatave jofitimprurëse”, thuhet në kërkesën numër 2 të deputetëve opozitarë.

Selia blu kërkon që komisioni të ngrihet me përbërje të barabartë mes anëtarëve të mazhorancës dhe opozitës.

“Anëtarësia e Komisionit formohet me pjesëmarrjen e partive parlamentare me përbërje të barabartë mes shumicës dhe pakicës”, thuhet në pikën tjetër.

Nëse miratohet Komisioni duhet që ta ushtrojë veprimtarinë për një afat 6-mujor nga data e miratimit të vendimit. Për Partinë Demokratike, problematikat dhe rekomandimet në raportin e ODIHR për zgjedhjet e 25 Prillit meritojnë një trajtim të veçantë nga Kuvendi në mënyrë që të adresohen nëpërmjet nismave ligjore./tvklan.al/

Të ngjashme