Partia Demokratike ka reaguar sërish sot për vendimin e marrë nga qeveria për hapjen e lojërave të fatit. Në një dalje për mediat, Enkelejd Alibeaj tha se rikthimi tek projekti i kazinove dhe bixhozit është një nga tradhtitë më të mëdha që Edi Rama u ka bërë qytetarëve për llogari të krimit të organizuar.
“Pasi flaku në rrugë mbi 10 mijë persona të punësuar në bizneset e lojërave të fatit, Edi Rama ka vendosur t’i përqendrojë ato në pak duar. Edi Rama ka shkelur premtimin që ju bëri shqiptarëve se nuk do të lejonte që lojërat e fatit të shkatërronin mijëra familje dhe jetë njerëzish. Lotët e krokodilit për familjet që mbeteshin pa bukë se kryefamiljari luante bixhoz, janë tharë tani, pak muaj para zgjedhjeve, kur në ortakëri me krimin ka marrë vendim qeverie në cilat kulla dhe në cilat rrugë në Tiranë lejohet hapja e kazinove”, tha Alibeaj.
Sipas selisë blu, “takimet e javëve të fundit me eksponentë të krimit të organizuar janë një indicie e mjaftueshme që SPAK të zbulojë dhe hetojë një nga skemat më të zeza të Edi Ramës me botën e krimit”.
Alibeaj i drejtoi kreut të qeverisë edhe disa pyetje dhe tha se “sa më shumë të heshtë Edi Rama për këto pyetje, aq më i kapur është nga krimi”.
“Vetë Edi Rama, i cili deklaroi dy vjet më parë se deputetët e tij ishin kërcënuar nga burgu 313 për të mos ndaluar lojërat e fatit, duhet t’u përgjigjet pyetjeve pa u fshehur pas heshtjes fajtore. 1.Për llogari të cilëve të burgosur tek 313-ta po mbush qendrën e Tiranës dhe ish bllokun me kazino? 2.A përfitojnë nga ky vendim i marrë në fshehtësi ndonjë nga personat që ka takuar 2 netë më parë apo gjatë javëve të fundit? 3.A është lejimi i kazinove pjesë e pazarit të mbyllur me shokët e përgjimeve të Vangjush Dakos?“, tha Alibeaj.