Kryesia e Partisë Demokratike ka nominuar dy kandidatë për deputet për zgjedhjet parlamentare në Serbi më 26 prill, në të cilët shqiptarët në Luginë të Preshevës do të marrin pjesë me një listë të unifikuar, raporton Titulli.com.
“Duke u nisur nga fakti se unifikimi i faktorit politik shqiptar nuk ka kuptim pa përfshirjen e shqiptarëve të komunës së Medvegjës dhe duke e ditur se dy deputetët e tjerë nga partitë e tjera shqiptare janë nga komuna e Bujanocit, respektivisht nga ajo e Preshevës, Partia Demokratike ka propozuar që kryetari i degës së PD-së në Medvegjë, Bajram Mustafa, të jetë njëri prej kandidatëve potencialë në listën e përbashkët shqiptare për zgjedhjet parlamentare në Serbi, i cili do të jetë zëri i shqiptarëve të Medvegjës. Gjithashtu, nga kjo mbledhje është propozuar edhe kandidatja tjetër potenciale, znj. Nadije Beqiri nga fshati Lluçan, ekonomiste e diplomuar, punëtore shumëvjeçare në shkollën fillore “Naim Frashëri” në Bujanoc”, thuhet në njoftimin e PD-së.
Partia Demokratike me këtë rast u ka bërë ftesë publike të gjitha partive tjera shqiptare pjesëmarrëse në zgjedhjet parlamentare që sa më shpejt të ulen në tryezë të rrumbullakët për të formuar grupet punuese dhe për të diskutuar rreth mbledhjes së nënshkrimeve në një vend të përbashkët, si dhe çështje tjera të lidhura me zgjedhjet parlamentare. PD ka vlerësuar se marrëveshja e nënshkruar në Tiranë me iniciativë të ministrit Cakaj të jetësohet në mënyrën më të mirë të mundshme.Per