PDIU dhe Shoqata “Çamëria”: Po dëmtohet rëndë çështja çame

Prishtinë | 30 Tet 2016 | 13:13 | Nga

Komuniteti i shqiptarëve çam përfaqësohet në parlament nëpërmjet Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), si dhe shoqatës patriotike “Çamëria” si organizata më e vjetër, e krijuar menjëherë pas rënies së komunizmit.

Të dy këto organizata janë kontaktuar nga Telegrafi dhe ato kanë mohuar se kanë të bëjnë ndonjë gjë me këtë çështje.

Mesila Doda, sekretare e përgjithshme e PDIU-së dhe Dritan Sejko, nënkryetar i shoqatës “Çamëria” janë shprehur të alarmuar, sepse, sipas tyre, këto veprime dëmtojnë rëndë jo vetëm çështjen çame, por edhe vetë Kosovën.

Sipas përfaqësuesve të PDIU dhe shoqatës “Çamëria”, një veprim si shpallja e pavarësisë së Çamërisë në këto momente kur çështja çame ka hyrë tashmë ne agjendën e Brukselit, nuk bën gjë tjetër përveçse e bën këtë çështje qesharake dhe joserioze në sytë e institucioneve ndërkombëtare, por edhe e bën të rrezikshme, sepse e ndërlidhin me pretendime territoriale separatiste.

“Kjo gjë do na dëmtonte lobimin shumëvjeçare që kemi bërë nëpër botë për ta trajtuar çështjen çame si çështje humanitare, pra si shkelje të të drejtave të njeriut”, ka thënë zyrtarja e PDIU-së, Mesila Doda.

Kurse, sipas nënkryetarit të organizatës “Çamëria”, bëhet fjalë për të njëjtët njerëz të infiltruar nga agjentura të vendeve armike të cilët sajuan të ashtuquajturën Ushtri Çlirimtare të Çamërisë për të na paraqitur si kërcënim në sytë e faktorit evropian dhe perëndimor.

“Këta bashkëpunëtor të shërbimeve duan ta sabotojnë çështjen çame, duke e paraqitur në opinionin ndërkombëtar si projekt luftënxitës, ndërkohë që ne përpiqemi ta zgjidhim çështjen në rrugë paqësore e ligjore, duke u mbështetur në parimet kryesore ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, pritet që këto veprime ta vendosin Kosovën në pozitë të vështirë me ndërkombëtaret, duke e nxjerrë si faktor destabiliteti për rajonin, por edhe duke bërë paralelizma të paqena me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

“Vetë fakti që këtë veprim po e bëjnë në Kosovë e jo në Shqipëri, ku ndodhet komuniteti çam dhe vazhdimi i krahinës jugore shqiptare të Çamërisë, tregon qe ky aktivitet synon te dëmtojë edhe Kosovën sikurse çështjen çame”, ka thënë Sejko për Telegrafin.

Përfaqësuesja e PDIU-së dhe ai i shoqatës “Çamëria” iu kanë bërë thirrje qytetarëve në Kosovë, që të mos bien pre e këtyre veprimeve që në pamje të parë janë të maskuara si patriotike, por që në të vërtetë dëmtojnë rëndë kauzën kombëtare.

Sipas tyre, Shqipëria tash pret nga Brukseli hapjen e negociatave për anëtarësim, ndërsa Kosova pret liberalizimin e vizave, prandaj një ngjarje si kjo nuk është rastësore, pasi me shumë gjasa do e dëmtonte rëndë imazhin e shqiptarëve në Bruksel.

LEXO EDHE:

http://cs13.temp.domains/~ekonomia/globi/rajon/sot-shpallet-pavaresia-e-camerise/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme