Në prag të balotazhit për Komunën e Mitrovicës së Jugut, është zyrtarizuar marrëveshja mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Koalicioni u nënshkrua të dielën, një bashkëpunimim në garën kundër kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci.
Nënshkrimin e marrëveshjes e bëri të ditur kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri, i cili theksoi se vendimi për bashkëpunim u mor mbi bazën e interesit qytetar dhe jo të llogarive partiake.
“Sot e vendosëm Mitrovicën mbi dallimet politike që të punojmë së bashku për një të ardhme më të mirë në qytetin tonë.
Marrëveshja e koalicionit që nënshkruam me Lidhjen Demokratike të Kosovës është një premtim për qytetin tonë. Është një dëshmi se kur zgjedhim të bashkohemi dhe të veprojmë me një qëllim të përbashkët, Mitrovica gjithmonë fiton,” shkroi Tahiri.
Sipas tij, ky bashkëpunim është një hap drejt stabilitetit lokal dhe zhvillimit të qëndrueshëm të komunës, në një kohë kur qytetarët kërkojnë më shumë rezultate konkrete dhe më pak përplasje politike.
“Qyteti ynë ka nevojë për bashkëpunimin dhe energjinë e çdo qytetari, pavarësisht prejardhjes apo bindjeve politike.
Ky është koalicion për Mitrovicën dhe mitrovicasit. Ky është koalicioni i fitores!
Për ty gjithmonë, Mitrovicë! 🤝”