Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur një konferencë për media ku ka folur rreth vendimit të Gjykatës Supreme e cila e hodhi poshtë vendimin e PZAP-së për rinumërimin e votave në Prishtinë dhe Prizren.
Blerand Stavileci nga PDK-ja tha se Gjykata Supreme nxori si të pabazuara kërkesat e tyre për rinumërim votash, edhe pse ofruan argumentet në bazë të të cilave shihet qartë manipulimi me vota i bërë nga “klani i hajnave terroristë të Partisë Vetëvendosje”.
“Gjykata Supreme mbase edhe e ndikuar nga presioni publik që kjo parti klanesh terroriste ka bërë mbi anëtarët e saj anuloi rinumërimin e votave. Pra, qenka hedhur poshtë pretendimi se paska pasur tendencë të manipulimit të zgjedhjeve dhe se drejtësia është e kapur”, tha Stavileci.
“Përkundrazi, ka mjaftueshëm dyshime se kjo “Drejtësi” është e terrorizuar dhe e frikësuar nga terroristët e PVV-së. Sepse kjo parti shpif, linçon, frikëson, shantazhon e terrorizon çdo gjë që i del përpara. Të gjithë jemi dëshmitarë sesi kanë nxjerrë fotografi të zyrtarëve të shtetit, të organeve të drejtësisë dhe të sigurisë, të gazetarëve, duke i shpallur “kriminelë”, duke i çnjerëzuar dhe duke i rrezikuar edhe me jetë”, theksoi ai.
“Kështu Vetëvendosje ua ka futur në palcë frikën gjithë atyre që nuk u rreshtohen nga pas. U dëshmua me fakte se zyrtarë të kësaj partie me bërthamë terroriste janë të përfshirë në korrupsion, terrorizëm dhe lidhje mafioze me oligarkë. U vërtetua se anëtarë të kësaj organizate janë terroristë që sulmojnë institucionet e Kosovës me të gjitha mjetet e mundshme”.
“Të ju rikujtojmë se organizata “Syri i Popullit” me listë për likuidimin e 20 vetave, në mesin e tyre politikanë, gazetarë e të tjerë, na doli të jetë e themeluar nga zyrtarë të Vetëvendosjes. Anëtari i VV-së, Sadri Ramabaja, javë më parë u kap duke provuar të ikte ilegalisht përmes Shqipërisë pas ftesës së Prokurorisë Speciale si njëri nga themeluesit e këtij grupi terrorist që po planifikonte vrasjen e 20 personave në Kosovë. Pra, qytetarë të nderuar, po dëshmohet me fakte se “Vetëvendosje” jo vetëm që bënë linçime, shpifje, propaganda, terrorizime, sulme, por edhe lista për likuidim”.
“Ata po arrestohen e më pas po lirohen, sepse gjykatësit ndihen të frikësuar nga këta kërcënues. Militantë të kësaj organizate terroriste nuk u dënuan për djegien e institucioneve dhe për lëndimin e gjakosjen e policëve të Kosovës, sepse ua kanë frikën. E patë sesi i fotografonin dje policët që arrestuan deputetët e PVV-së, sepse kështu ata më pas do të jenë pjesë e sistemit linçues publik”.
“Pra, drejtësia e kushdo tjetër që nuk është në linjë me këtë parti sektare frikësohet dhe terrorizohet. Të besojmë se as ky vendim nuk është marrë nën presionin e terroristëve të Vetëvendosjes”.
PDK thotë se nuk do të ndalen por do t’i shterojnë të gjitha mundësitë ligjore dhe kushtetuese për ta vërtetuar vullnetin e mirëfilltë të qytetarëve.