Dy partitë më të mëdha opozitare po synojnë të forcohen në diasporë, pasi u bindën se ndikimi i mërgimtarëve në Kosovë është shumë i madh edhe në zgjedhje.
Në Lëvizjen Vetëvendosje e falënderojnë diasporën shpesh kur flasin për rritjen e jashtëzakonshme të partisë viteve të fundit, që kulmoi me 50.28% të votave që i fituan në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Diaspora është pjesë e rëndësishme e fjalimeve të kryeministrit Albin Kurti sa herë që ai i përmend qytetarët diku. Prej votave nga jashtë vendit, LVV-ja e tij në zgjedhjet e fundit parlamentare i mori rreth 80 për qind të tyre. Shumë mërgimtarë në shkurt të vitit të vitit 2021 kishin ardhur me autobusë për të votuar për LVV-në.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku paralajmësoi aktivitete në mërgatë. duke e themeluar të martën Ekipin Politik për këtë çështje. I ka ngarkuar katër zyrtarë për ta ringjallur në diasporë partinë më të vjetër të Kosovës.
Nënkryetari i LDK-së, Anton Quni dhe dy anëtarët e Kryesisë, Sokol Haliti e Armend Zemaj u futën nga Abdixhiku në përbërjen e këtij ekipi. Atyre iu është bashkuar edhe Shkumbin Gashi, koordinator teknik në LDK.
“Ekipi politik do të jetë përgjegjës për organizimet e përbashkëta mobilizuese e të vizitave të LDK-së në mërgatë.Mërgata ka qenë dhe është jetike për zhvillimin dhe prosperimin ekonomik të vendit. LDK është duke punuar intensivisht në bashkërendimin e aktiviteteve në degët tona në mërgatë, me synim rritjen dhe hapjen e dyerve për kuadro të reja, gra e të rinj profesionit në qendrat më të mëdha botërore”, u tha në njoftimin e LDK-së.
Rëndësinë e disporës, LDK-ja e pa së fundmi në fund të vitit të kaluar në zgjedhjet lokale. Në Dragash, fitorja e LDK-së u vendos nga votat e diasporës.
Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, LDK-ja tha se doli “partia më e votuar nga mërgata”.
PDK-ja tashmë e ka një njeri që merret me këtë çështje. Deputeti Elmi Reçica është udhëheqës i Departamentit të Diasporës në këtë parti dhe shpesh ndodhet jashtë vendit me aktivitete partiake, sidomos në Zvicër dhe Gjermani.
Me shumë entuziazëm, PDK-ja më 20 mars njoftoi për një “tubim madhështor” në Rosenheim të Bavarisë, si “fillimin e organizimit të madh të PDK-së në Gjermani”. Aty morën pjesë disa prej figurave shumë të rëndësishme të kësaj partie. “Partia Demokratike e Kosovës rikthehet fuqishëm në Gjermani!”, kishin shkruar në Facebook.
“Rikthimi i Partisë Demokratike të Kosovës në qeverisje, fillon pikërisht me rikthimin e saj në Diasporë”, shkruhet në faqen e kësaj partie. “PDK-ja do të jetë zëri i shumë veprimtarëve të devotshëm, zëri i anëtarësisë, i rinisë dhe veçanërisht zëri i grave, të cilët me investimin e dijes dhe kapitalit, do të jenë shpresë e perspektivës së zhvillimit të vendit”, shkruante deputeti Elmi Reçica. “Sot u fillua me Bavarinë dhe do ta përfundohet me Berlinin”, paralajmëronte ai.
Organizimet e ngjashme, PDK-ja i vazhdoi në Zvicër. Në Kantonin Schwyz më 3 prill u themelua një nëndegë. Elmi Reçica ishte aty kur u zgjodh kryetari dhe kryesia.
“Në këtë takim të pranishëm ishin veprimtarë, intelektualë dhe aktivistë të devotshëm të PDK-së, të cilët në forma të ndryshme kanë kontribuar e mbështetur Kosovën dhe Partinë Demokratike të Kosovës. Së bashku ne do të punojmë që në vazhdimësi ta shtrijmë dhe fuqizojmë PDK-në në Diasporë!”, kishte thënë Reçica përmes një postimi në Facebook.
Në të njëjtën ditë, deputeti Enver Hoxhaj ishte në Fribourg për një takim me kryetarët e nëndegëve të PDK-së në Zvicër.
“Puna, përkushtimi dhe angazhimi i të gjitha strukturave të partisë për riorganizimin e PDK-së në Zvicër, po konkretizohet me themelimin e Degës së PDK-së në Zvicër, të cilës do t’i bashkohen një numër i madh i bashkatdhetarëve tanë, intelektualë të shquar, veprimtarë të devotshëm të çështjes kombëtare, të rinj e të reja, biznesmenë të suksesshëm. Së bashku do të punojmë për fuqizimin e mëtutjeshëm të PDK-së në Diasporë si dhe për rikthimin e saj në krye të shtetit, për të ia kthyer Kosovës dinjitetin dhe qeverisjen e mirë!”, ka shkruar ai.
Më herët, në mars, ish-kryediplomati kishte qenë në Malmo të Suedisë për aktivitete partiake.