PDK-ja kërkon dorëheqjen e ministrave Vitia e Sveçla, neglizhenca e shtetit çoi në vdekjen e 26-vjeçarit

Prishtinë | 04 Maj 2020 | 17:20 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kërkon përgjegjësi, hetim dhe dorëheqje lidhur me rastin tragjik të vdekjes së 26-vjeçarit nga Gjilani, dje në karantinën e Qendrës së Studentëve Prishtinë.

Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Uran Ismaili, ka thënë se shteti dështoi ta mbrojë studentin i cili u kthye nga Gjermani dhe ministrat Vitia e Sveçla duhet të japin dorëheqje, raporton Ekonomia Online.  

“Sot, më e pakta që do të duhej të ndodhte – është dorëheqja e Ministrave Arben Vitia dhe Xhelal Sfeçla, e cila do të duhej të vinte të paktën si një akt moral. Kjo konsiderohet domosdoshmëri dhe këtu nuk ka vend për hamendësime. Po ashtu, janë shqetësuese faktet që po nxirren nga qytetarët e karantinuar në Qendrën Studentore, sipas të cilëve – trajtimi i tyre nuk është i barabartë, pasi që disa persona dyshohet se janë liruar nga karantinimi me lidhje personale me pushtetin, dy-tri ditë pas riatdhesimit. Ndërsa, disa të tjerë vazhdojnë të mbahen aty deri në dy javë – ashtu siç ishte vendosur me masat e ndërmarra nga Qeveria”, tha Ismaili, në një konferencë shtypi.

Ai tha se është e domosdoshme të ndërmerren hetime të thella, jo vetëm për këtë rast të dhimbshëm të Agonit, por edhe për gjithë mënyrën se si është administruar karantina dhe si janë trajtuar qytetarët tanë gjatë kësaj periudhe të pandemisë.

“Të gjithë ata, që me veprimet ose mos-veprimet e tyre, shtynë ose krijuan kushtet që ky i ri t’i japë fund jetës së tij në karantinë, duhet të japin përgjegjësi, duke qenë se i ndjeri ishte nën kujdesin e institucioneve të shtetit.  Tendencat për shfajësim, me arsyetime që t’i iket përgjegjësisë, janë rëndim i mëtutjeshëm për familjen e Agon Musliut, ofendim i dhimbjes së tyre, dhe dështim për shtetin e Kosovës”, ka thënë Ismaili.  

Ismaili ka thënë se po t’i ndodhte një rast i tillë gjatë kohës sa ka qenë ministër do të dorëhiqej.

https://vimeo.com/414780842

Fjalimi i plotë i Ismailit:

Përshëndetje të gjithëve!

Agon Musliu, një 26 vjeçar nga Gjilani, ka ndërruar jetë ditën e djeshme, duke u hedhur nga katet e larta të Konvikteve në Prishtinë, ku po mbahej në karantinë.

Ngushëllimet më të thella familjes së tij, e cila është goditur nga një dhimbje e madhe dhe shumë e rëndë.

Ky akt tragjik na ka tronditur të gjithëve.

Ai ishte një student i shkëlqyeshëm në Gjermani dhe sapo ishte kthyer në Kosovë, bashkë me 146 qytetarë të tjerë, në kuadër të riatdhesimit të organizuar.

Prej tyre, vetëm 9 persona janë dërguar në karantinë, ndërsa 138 të tjerë janë lejuar të shkojnë në shtëpitë e tyre.

Fatkeqësisht, përkundër rekomandimit nga Ambasada e Kosovës në Berlin, që edhe Agoni të dërgohej në shtëpi, ai përfundoi në karantinën e Qendrës së Studentëve.

Ngjarja bëhet edhe më e dhimbshme, pas raportimeve se ky i ri kishte probleme serioze shëndetësore dhe kishte dokumentet që e dëshmonin një gjë të tillë, kishte një kërkesë nga familja që për këtë arsye djali i tyre të lirohej, ndërsa edhe vetë ai kishte kërkuar të mos mbahej në izolim.

Ndërkohë, sa ishte në karantinë, ishte kërkuar edhe ndihma e mjekëve, duke qenë se Agoni ishte në depresion, ashtu siç konfirmohet edhe në komunikimin zyrtar të Qendrës Operative Emergjente të Komunës së Gjilanit drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Përkundër që ishin të njoftuar me kohë për gjendjen e Agonit, asnjëra nga këto nuk ishin marrë në konsideratë nga këto dy ministri, duke e lënë tërësisht të vetmuar një të ri që kishe nevojë për ndihmë e mbështetje.

Kjo neglizhencë institucionale, kjo mungesë e përkujdesjes për të, fatkeqësisht ka rezultuar me humbjen e jetës së tij.

Vdekja e Agonit assesi nuk duhet të heshtet dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të fshihet.

Ky rast duhet të zbardhet nga organet e drejtësisë. Urgjentisht dhe plotësisht.

Dhe, të gjithë ata që janë përgjegjës – duhet të japin llogari sa më parë.

Agoni ishte nën përkujdesjen e shtetit.

Këtu nuk ka asnjë dilemë.

Të gjithë ata, që me veprimet ose mos-veprimet e tyre, shtynë ose krijuan kushtet që ky i ri t’i japë fund jetës së tij në karantinë, duhet të japin përgjegjësi, duke qenë se i ndjeri ishte nën kujdesin e institucioneve të shtetit.

Tendencat për shfajësim, me arsyetime që t’i iket përgjegjësisë, janë rëndim i mëtutjeshëm për familjen e Agon Musliut, ofendim i dhimbjes së tyre, dhe dështim për shtetin e Kosovës.

Kjo nuk guxon të ndodhë.

Sot, më e pakta që do të duhej të ndodhte – është dorëheqja e Ministrave Arben Vitia dhe Xhelal Sfeçla, e cila do të duhej të vinte të paktën si një akt moral.

Kjo konsiderohet domosdoshmëri dhe këtu nuk ka vend për hamendësime.

Po ashtu, janë shqetësuese faktet që po nxirren nga qytetarët e karantinuar në Qendrën Studentore, sipas të cilëve – trajtimi i tyre nuk është i barabartë, pasi që disa persona dyshohet se janë liruar nga karantinimi me lidhje personale me pushtetin, dy-tri ditë pas riatdhesimit. Ndërsa, disa të tjerë vazhdojnë të mbahen aty deri në dy javë – ashtu siç ishte vendosur me masat e ndërmarra nga Qeveria.

Prandaj, është e domosdoshme të ndërmerren hetime të thella, jo vetëm për këtë rast të dhimbshëm të Agonit, por edhe për gjithë mënyrën se si është administruar karantina dhe si janë trajtuar qytetarët tanë gjatë kësaj periudhe të pandemisë.

Hetimi duhet të ndodhë si obligim për vënien e drejtësisë në vend.

Para së gjithash, për Agonin.

Të ngjashme