Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, duke folur për komisionin hetimor për energji ka thënë se secili deputet e ka obligim ta përmbushë mandatin.
Ai ka shtuar se kërkesa e opozitës për këtë komision hetimor është e drejtë, kjo pasi sipas tij, problemet energjetike e kanë dominuar debatin.
“Kjo sfidë sociale, ekonomike dhe politike kërkon menaxhim të duhur. Për të dalë nga kriza të tilla, na duhet bashkërendim, por fatkeqësisht kemi vetëm ndërhyrje të Qeverisë. Mohomi i të drejtave kushtetuese të 40 nënshkruesve u duhet vetëm atyre që duan ta sabotojnë të vërtetën”, ka thënë ai.
Shala ka shtuar se komisioni hetimor duhet të bëhet për ta zbardhur keqmenaxhimin e Qeverisë.
Sipas tij, duhet të zbërthehet deri në detaje arsyeja e subvencionimit deri në 100 milionë euro të energjisë elektrike.
“Presim që opinioni dhe qytetarët ta dinë të vërteten për krizën energjetike në vend. Ju bëj ftesë për të mirë të shtetit ta formojmë sot komisionin hetimor dhe ta përmbyllim ketë debat të shumëzgjatur dhe të panevojshëm që po na mban peng”, ka thënë ai.