PDK-ja në konfuzion në lidhje me Marrëveshjen

Prishtinë | 04 Mar 2023 | 16:22 | Nga Afrim Kasolli

Asnjë parti parlamentare nuk shpërfaqi konfuzion me të madh sesa PDK-ja në seancën e fundit parlamentare, lidhur me marrëveshjen ndërmjet A. Kurtit dhe A. Vuçiqit.

Kjo paqartësi vërehej që nga fjalimet e tyre. Të cilat kalonin thuajse nga njëri ekstrem në tjetrin. Duke filluar nga fjalimi i kryetarit të partisë. Kritika e tij për këtë marrëveshje ishte tërësisht sipërfaqësore. Me gjysmezëri. Ai sikur ishte ndërmjet një detyrimi, që në njërën anë për t’u treguar koperativ në këtë proces dhe në anën tjetër nga shtytja për ta refuzuar.

Mbase në rastin e parë edhe u ka premtuar diplomatëve perëndimorë, se partia e tij do të jetë bashkëpunuese, apo është instruktuar nga këshillat e mentorit të tij politik dhe ideologjik, prindit të tij, se kjo është e vetmja shans që i ka mbetur për ta ardhur në pushtet, sepse përndyshe si partia e tretë kurdo që mbahen zgjedhjet, perspektiva e pushtetit i bëhet e gjithnjë e më errët.

Kështu nëse herën e parë ishte akomoduar dhe përfituar nën pushtetin e Hashim Thacit, nuk ka asgje të keqe tash këtë ringritje të kërkoje nën atë të Albin Kurtit. Ashtu siç thotë një proverb romake, “kurrë nuk është vonë për t’u bërë me fitimtarin”.

Këtë fryme përgjeruese, madje thuajse që gati sa nuk e përshëndeti për arritjet historike të “dashurin dhe te nderuarin e tij kryeminsitrër” e shpërfaqi edhe profesori sharlatan Enver Hoxhaj. Ai nuk kishte asnjë telashe me parimet e këtij dakordimi, por vetem e keshillonte “të dashurin dhe të nderuarin e tij kryeminisitër” që të ketë kujdes me aneksin e zbatimit të këtij plani. Çfarë mes rreshtave dëshmonte se nuk eshte kundër kësaj marrëveshje.

Këtë qasje të pranimit të heshtur e të maskuar, sikur e neutralizonte reagimi, ndonëse jo ne formën me të duhur, por në mënyrë kategorike kundër kësaj marrëveshje, dhe që shihej që ishte i mbushur në këtë refuzim plot pasion, i Shefit të Grupit Parlamentar te partise. Dhe klimaksin e kësaj tendence refuzuese e shfaqi mbase më hapur me reagimin e saj spektakular deputetja Musliu.

Ky (mos)qëndrim i kësaj partie për këtë temë vërehet edhe me ata që nuk janë pjesë e legjislaturës së këtij Kuvendi, por që mbartin pozita të larta në hierakinë e kësaj strukture politike. Heshtja tinëzare dhe ku asnjë fjalë s’i shpëtoi prej goje që nga dita e hënë, e Bekim Çollakut si njeri nga njerëzit që për një dekadë ia kishte mbajtur çantat me letrat e dialogut Hashim Thacit, deri sa ky i fundit i printe këtij procesi, është e pashembullt për nga hipokrizia. E deri tek reagimet e përcipta të nënkryetares Citaku, që dikur i vetëekspozohej koordinatorit të qeverisë për dialog Besnik Bislimi, se si ishte e gatshme ta bëhej pjese e këtij procesi, duke e përdorur gjuhën e cekët politike të Milazim Krasniqit se “për interesa shtetërore duhet të kemi unitet politik.

Kjo kakofoni mbase tregon se kjo parti vazhdon të jetë një aleancë e disa grupeve fragmentare dhe ku fryma sektare e së cilës i pengon që ta ndërtojnë një qëndrim të mirëmenduar dhe të përbashkët politik.

Me këtë rast secili grup i ndjek agjendat e tij, dhe që nuk do ta kenë problem që disa të votojnë pro e disa kundër, kurdo që kjo marrëveshje vjen për ratifikim. Sepse tashmë ata janë bashkë vetëm ngase nën siglën e kësaj partie e kanë më të lehtë t’i mbrojnë interesat e tyre partikulare dhe financiare.

Të ngjashme