Partia Demokratike e Kosovës, dega në Prizren, ka hedhur akuza ndaj kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka, për dhënie të tenderëve pa përmbushje të kritereve të kërkuara.
Kjo parti ka dhënë argumentet e veta, por edhe rekomandimet e OJQ-ve të cilat kanë konstatuar parregullsi në njërën prej kontratave të nënshkruara me operatorë ekonomikë.
Kjo është komunikata e plotë e PDK-së në Prizren:
Kohë më parë nga rrjeti i pesë OJQ-ve, është prezantuar raporti i monitorimit të aktiviteteve të prokurimit, i quajtur “Pishina e Parregullsive”.
Është për t’u përshëndetur dhe përkrahur puna e mirë në krijimin e këtij raporti dhe ky raport nga PDK dega në Prizren e ka mbështetjen e plotë.
Nuk do të hyjmë në analizë të detajizuar të raportit, sepse kjo punë është bërë shumë mirë dhe në mënyrë përmbajtjesore, duke analizuar kontratën në të gjitha fazat e projektit në fjalë.
Ne, do të ndalemi vetëm tek disa momente më interesante tek të gjeturat, apo si quhet në raport të OJQ-ve KONKLUZIONET.
Kjo kontratë ishte ballafaquar me probleme që nga fillimi dhe probleme kishte në çdo fazë përfshirë këtu:
Fazën e Planifikimit – Publikimit – Vlerësimit – Ankesat si dhe Menaxhimin e kontratës.
Vlen të theksohet një moment relevant që e ka përcaktuar fituesin e tenderit.
• Pas shpalljes së fituesit, ka pasur ankesa dhe ato ishin lidhur me përgjegjshmërinë e Operatorit Ekonomik, të përzgjedhur si fitues i tenderit. Palët ankuese kishin shprehur dyshime lidhur me një kontratë, që kishte prezantuar Operatori Ekonomik fitues, me një person privat, e cila ishte bazë e përgjegjshmërisë së tij, në përmbushjen e kërkesave për përshtatshmërinë e aftësive profesionale.
• Më vonë rreth asaj kontrate, në prill të vitit 2019,Prokuroria Themelore në Prizren, kishte ngritur aktakuzë kundër pronarit të kompanisë, që ka qenë palë në këtë kontratë.
Ky fakt është relevant për të konstatuar se problemet lidhur me këtë projekt kanë qenë serioze.
Probleme kishte edhe në fazën e menaxhimit.
• Kjo kontratë nuk ka fare menaxher të kontratës dhe as një plan menaxhimi.
Pjesë e këtij raporti janë dhënë edhe REKOMANDIMET, të cilat ne si PDK, i përkrahim në tërësi, por pasi që janë pjesë e raportit të rrjetit të OJQ-ve, kush ka interes mund t’i lexoj në raportin e publikuar kohë më parë.
Është interesant të theksohet se kryetari i Prizrenit z. Mytaher Haskuka me 4 nëntor të vitit 2019, kishte deklaruar, citoj:Falënderoj rrjetin e OJQ-ve, që mi kanë vërtetuar dyshimet e mia për këtë projekt.
Por megjithatë edhe përkundër dyshimeve, ai e kishte nënshkruar këtë kontratë, për dallim prej projektit të Teleferikut, që nuk e kishte nënshkruar,mu për shkak të dyshimeve që i kishte pasur aso kohe.
Tani vijmë tek konstatimi se z.Haskuka tek rastet kur ka dyshime nuk vepron me kritere të njëjta, por vepron në mënyrë preferenciale. Një praktikë e tillë, nuk do të duhej të ndodhte,sepse kjo mënyrë e të vepruarit dëmton interesin publik dhe tregon mungesë të aftësisë menaxheriale dhe të lidershipit, më se të nevojshëm për të udhëhequr një qytet si Prizreni.