PDK-ja në Qeverinë Hoti, deklarohet zëdhënësi Avni Bytyqi

Prishtinë | 02 Tet 2020 | 21:28 | Nga Ekonomia Online

Partia Demokratike e Kosovës thotë se nuk e ka diskutuar çështjen e hyrjes së saj në Qeverinë e Kosovës. Ndërkaq sipas analistëve procesi i filluar në Gjykatën Speciale, mund të ketë efekte edhe sa i përket formulës dhe përbërjes së ardhshme të Qeverisë së Kosovës, duke mos e përjashtuar edhe PDK-në, brenda saj. 

Pavarësisht opsioneve të hapura që edhe Partia Demokratike e Kosovës, të jetë pjesë e koalicionit qeverisës, një mundësi e tillë, sipas zëdhënësit të saj, Avni Bytyçi, nuk është diskutuar në strukturat e partisë.

“Partia Demokratike e Kosovës nuk e ka diskutuar fare çështjen a do të jetë pjesë e këtij koalicioni qeverisës. Ne vazhdojmë të jemi në opozitë përderisa nuk ka ndonjë ndryshim ose një arsye të ndryshme që t’i bashkangjitemi kësaj qeverie ky mbetet qëndrimi jonë që PDK është në opozitë”, deklaroi Bytyçi për Rtv Dukagjini.

Por, a mund ta bindë PDK-në pozita e presidentit, nëse asaj do t’i ofrohej?

“Te ne nuk është çështje e presidentit dhe kryeministrit më shumë është çështje e politikave publike, bashkangjitja jonë në çfarëdo koalicioni pavarësisht me cilën parti vjen si rezultat i të themi interesave të përgjithshme të qytetarëve”, shtoi më tej Bytyçi.

E sipas njohësit të çështjeve politike, Fitim Salihu, një nga faktorët që mund ta shtyjnë PDK-në në Qeveri, është, siç thotë ai, konfirmimi eventual i aktakuzave nga Prokuroria Speciale ndaj Kadri Veselit e Hashim Thaçit.

“PDK-ja aktualisht gjendet në mes dy zjarresh. Në një anë është domosdoshmëria e rikthimit në qeveri sidomos nëse i kemi parasysh eventualitetin e konfirmimit të aktakuzave ndaj liderit të saj dhe presidentit që do ta bënte shumë më të dobët pa këto dy figura në krye. Por, në anën tjetër PDK-ja është nën presion për shkak se në zgjedhjet e 6 tetorit ka dhënë premtimin se do të qëndrojë në opozitë”, deklaroi Fitim Salihu.

Përkundër kësaj, kreu i PDK-së Kadri Veseli kohët e fundit nuk e ka kursyer qeverinë Hoti nga kritikat.

Të ngjashme