(E plotësuar) Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në një konferencë për media ka zyrtarizuar marrëveshjet për koalicione parazgjedhore me Partinë e Drejtësisë të Ferid Aganit, Lëvizjen për Bashkim të Valon Muratit, Alternativën Demokratike të Edita Tahirit, Partinë Republikane të Faton Kurtit, Partinë Konservatore të Munir Bashës, Ballin Kombëtar dhe Partinë Liberale të Skender Gashit.
Në fakt, nënshkrimi i marrëveshjeve po vazhdon dhe me parti të tjera, duke “i befasuar” gazetarët.
Kreu i PDK-së është paraqitur para gazetarëve, duke nënshkruar marrëveshjet, me secilin prej kryetarëve të partive të vogla.
Në fjalën e tij, Veseli ka thënë se bëhet fjalë për marrëveshje me anë të së cilës merren përgjegjësitë për vendin dhe me anë të së cilës synohet që të shkohet përpara.
“Duke falënderuar edhe partnerin e koalicionit si dhe të gjithë partnerët e tjerë, thërras çdo qytetar, çdo parti politike t’i bashkëngjitet vizionit të PDK për një Kosovë të zhvilluar, moderne, perëndimore”, ka thënë ndër tjerash Veseli.
Veseli ka thënë se këto koalicione do t’i kontribuojnë demokratizimit të vendit dhe se janë koalicione perëndimore, të përqendruara në ekonominë e lirë të tregut.
Agani: Do të punoj në avancimin e shëndetësisë
Fillimisht, Veseli ka nënshkruar koalicionin me Ferid Aganin, ish-ministër i Mjedisit.
Kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani ka thënë se PD është e përkushtuar të kontribuojë në demokratizimin e vendit, duke shtuar se bashkë me PDK-në do të punojnë, sidomos për avansimin e sektorit të shëndetësisë.
Murati: Po e vazhdojmë partneritetin me PDK-në për integritetin e Kosovës
Partia e dytë që nënshkroi vazhdimin e partneriteti me PDK-në e Kadri Veselit ishte Lëvizja për Bashkim (LB) .
Kryetari i këtij subjekti, Valon Murati, tha se LB ka vendosur që të vazhdojë të jetë partner me PDK-në, si zgjidhja më e mirë në rrethanat aktuale. “Kjo për integritetin e Kosovës”, u shpreh ministri në detyrë i Diasporës.
Tahiri: Na kanë bashkuar idealet për shtetin
Kryetarja e Alternativës Demokratike të Kosovë (ADK), Edita Tahiri, pas nënshkrimit të koalicionit ka thënë se është kënaqësi për partinë e saj që po e vazhdojnë partneritetin me partinë më të madhe në Kosovë.
“Ajo që ne na ka bashkuar janë idealet për shtetin në të cilin kemi qenë një prej liderëve kryesorë”.
Sipas saj, partneriteti ka një dekadë dhe qëllimi i përbashkët është që Kosova të bëhet një shtet i suksesshëm në NATO dhe BE; gjithmonë duke ruajtur aleatin kryesor ShBA-në.
“Në këtë drejtim kryetari Veseli ka qenë i qartë në qëndrimet e tija dhe vizionin e tij se çka nënkupton shteti dhe pavarësia për ne në përgjithësi dhe në veçanti për shqiptarët që kemi marrë drejtimin historik që kombin e kemi orientuar drejt perëndimit”, ka thënë ajo.
PDK-së i bashkohet edhe Balli Kombëtar
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka nënshkruar, po ashtu, sot marrëveshjen e gjashtë të koalicionit me Ballin Kombëtar. Marrëveshjen e nënshkroi sekretarja Afrora Busha, pasi u tha se kryetari ishte i sëmurë.
Edhe Partia Konservatore e Re pjesë e “koalicionit të madh”
Kryetari i Partisë Konservatore të Re (PKR), Munir Basha, ishte politikani i radhës që u shfaq së bashku me Veselin në tavolinë. Ai tha se PDK-ja dhe PKR-ja kanë bashkëpunim të gjatë dhe se me këtë marrëveshje vetëm është rritur bashkëpunimi.
Ai ka thënë se partia e tij do të jap përkrahje PDK-së, ashtu sikurse që e pret edhe të njëjtën nga partneri.
Kurti: Veseli është njeriu i duhur për një Kosovë me të mirë
Partia Demokratike ka nënshkruar koalicion parazgjedhor edhe me Partinë Republikane të Kosovës.
Faton Kurti, kryetar i këtij subjekti, ka thënë se lideri i PDK-së, Kadri Veseli, është njeriu i duhur për një Kosovë me të mirë ashtu siç është edhe slogani i republikanëve të Kosovës.
Partia Liberale bashkon “energjinë” me PDK-në
Nënshkrimin e fundit, Veseli e vuri në marrëveshjen me Partinë Liberale të Kosovës (PLK). Nënshkrimi e vuri Skender Gashi, i cili mpori drejtimin e partisë së udhëhequr tradicionalisht nga Gjergj Dedaj. Ky i fundit, i cili në pothuajse të gjitha qeveritë ka pasur së paku një post zv.ministri, është ende kryetar nderi.
Veseli u shpreh se Partia Liberale jep energji për te ecur përpara.