PDK-ja thotë se vëllai i kryetarit të LDK-së në Mitrovicë ua sulmoi aktivistin

Prishtinë | 06 Tet 2019 | 16:30 | Nga Ekonomia Online

Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se Komisionieri i LDK-së në qendrën e votimit në Kqiç të Madh të Mitrovicës, Fidan Kamberi, i cili është vëllai i kryetarit të LDK-së në këtë komunë, Safet Kamberi, ka sulmuar fizikisht aktivistin e PDK-së në këtë fshat, Ismet Berisha.

Njoftimi i plotë:

Komisionieri i LDK-së në qendrën e votimit në Kqiç të Madh të Mitrovicës, Fidan Kamberi, i cili është vëllai i kryetarit të LDK-së në këtë komunë, Safet Kamberi, ka sulmuar fizikisht aktivistin e PDK-së në këtë fshat, Ismet Berisha. Ky rast është raportuar nga vëzhguesit e PDK-së në këtë qendër të votimit, të cilët e kanë parë për së afërmi sulmin ndaj aktivistit të PDK-së.

Sipas tyre, aktivisti i PDK-së është sulmuar derisa po kërkonte sugjerime për pikën e votimit. Komisioneri i LDK-së e kishte sharë dhe sulmuar fizikisht duke pretenduar se nuk ishte banor i atij fshati, përkundër se e vërteta ishte ndryshe.

Pas situatës së krijuar në vendin e ngjarjes ka arritur edhe policia dhe autoambulanca për t’i ofruar ndihmën e parë aktivistit të PDK-së, i cili ka pësuar lëndime trupore. Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Mitrovicë, ka reaguar pas këtij rasti, duke kërkuar nga organet e rendit dhe drejtësisë që të marrin masat e duhura në mënyrë që të ruhet procesi zgjedhor në këtë komunë.


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme