PDK-ja vazhdon aksionin para Qeverisë, paralajmëron sërish letër për thirrjen e seancës konstituive

Prishtinë | 17 Gus 2026 | 08:22 | Nga Ekonomia Online

Partia Demokratike e Kosovës ka vazhduar edhe të hënën aksionin e saj para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke bllokuar hyrjen në shenjë proteste ndaj mosvazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit, raporton Ekonomia Online.

PDK-ja paralajmëroi se do t’i dërgojë sërish letër kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, që të thërrasë vazhdimin e seancës.

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, tha se qëllimi i aksionit është t’i kërkohet kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të kthehet në Kuvend dhe të kontribuojë në konstituimin e tij.

“Jam këtu bashkë me krejt kolegët e mi nga Partia Demokratike e Kosovës për të bërë një pyetje të vetme për deputetin Kurti, i cili ka uzurpuar pozitën e kryeministrit bashkë me ministrat e tij. Që nga dita kur e kanë dhënë betimin si deputet, jo por që nga certifikimi i rezultateve, ata qëndrojnë ilegalisht në pozicionet të cilat i ushtrojnë edhe sot, për çka dhe ne jemi mbledhur sot këtu për të mos e lejuar hyrjen e tij në zyrat e kryeministrisë”, tha ajo.

Hoxha kërkoi nga Kurti që, në vend të bllokimit të Kuvendit, të marrë pjesë në seancën konstituive dhe të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit.

“Zotëri Kurti duhet ta kuptojë që në vend se ta sabotojë Kuvendin, të vijë aty të krijojë mundësi për ta konstituuar Kuvendin. Dhe ajo është qëllimi parësor dhe puna e tij parësore që duhet ta bëjë si fitues i zgjedhjeve të fundit. Ta propozojë emrin dhe të ecim përpara në themelimin e institucioneve të legjislaturës”, tha ajo.

Sipas saj, asnjë subjekt politik nuk mund të jetë mbi shtetin dhe Kushtetutën e Kosovës.

“Për më tepër, ai sot qëndron si uzurpator në zyrat e kryeministrit bashkë me të gjithë ministrat e tij dhe një gjë duhet ta dinë edhe qytetarët dhe të gjithë të tjerët që nuk jetojnë në Kosovë, por kontribuojnë çdo ditë për Kosovën. Ai nuk mund të jetë mbi shtetin e Kosovës, partia e tij nuk mund të jetë mbi shtetin e Kosovës dhe mbi Kushtetutën e Kosovës. Andaj i bëjmë thirrje sa më parë që të kthehen në Kuvend aty ku e kemi vendin, për të nisur legjislaturën e 11 dhe për t’u kthyer në rendin kushtetues dhe në normalitet në shtetin e Kosovës. Po patjetë që po”, tha ajo.

Të ngjashme