Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) është mbledhur sot për të diskutuar “gjendjen e rëndë në vend, të shkaktuar nga krizat e njëpasnjëshme të prodhuara nga kryeministri Albin Kurti”.
PDK ka miratuar Deklaratën prej 10 pikash, ku mes tjerash kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme dhe ka marrë vendim që të pezullojë çdo komunikim zyrtar me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani-Sadriu, përveç në situata të jashtëzakonshme apo emergjente.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në një konferencë për medie, ka kërkuar që të shpallen zgjedhjet e reja, pas situatës së krijuar në nivel vendi me vendosjen e sanksioneve nga Bashkimi Evropian, raporton Ekonomia Online.
Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Drejtues të PDK-së, Krasniqi ka kërkuar që shkuarja në zgjedhje të bëhet përmes dorëheqjes së kryeministrit Kurti apo me shpërndarje të Kuvendit.
Numri një i PDK-së, tha se do t’i ndërpresin komunikimet me krerët e shtetit, të cilët i bëri fajtorë për gjendjen e rëndë.
“Partia Demokratike e Kosovës do të pezullojë çdo komunikim zyrtar me Kryeministrin Albin Kurti dhe Presidenten Vjosa Osmani-Sadriu, përveç në situata të jashtëzakonshme apo emergjente, si dhe për caktimin e datës së mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme, përmes dorëheqjes së Kryeministrit apo përmes shpërndarjes së Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha Krasniqi.
Kreu i PDK-së ka paralajmëruar edhe bojkot të punës së Kuvendit, përfshirë mosvotimin në seanca e komisione parlamentare.
“Duke pasur parasysh të gjitha këto, Partia Demokratike e Kosovës, nga sot nuk do të votojë në asnjë forum të Kuvendit të Kosovës dhe për asnjë vendim, rezolutë, ligj, marrëveshje ndërkombëtare apo dokument tjetër, ndonëse do të marrë pjesë në mbledhjet e Kuvendit të Kosovës për të ngritur zërin dhe për të folur për këtë rrezikim që po i bëhet Kosovës nga Qeveria dhe Presidenca e Kosovës”, tha tutje Krasniqi.
Ai po ashtu tha se PDK-ja do të përdorin cdo mjet demokratik që të kërkojnë dorëheqjen e Albin Kurtit, duke mos përjashtuar edhe protestat.
“Çdo veprim demokratik duhet që të merret parasysh. Çdo ditë që vazhdon me qenë në pushtet Albin Kurti ka me qenë ditë e humbur për Kosovën edhe ka me qenë hapa prapa për vendin dhe qytetarët tanë. Sot po shpopullohet vendi ynë, dalin anë e mbanë Kosovës, e keni me pa familje që kanë mbetur vetëm me pleq. Rini e cila po e lyp perspektivën edhe një jetë jashtë vendit. Ata nuk po ikin prej të mirave, ata po ikin sepse ky njeri ua ka rrënuar ëndrrat për vendin e vet, ua ka rrënu shpresën që vetë ua ka krijuar. Asnjë veprim demokratik nuk është i përjashtuar”, tha ai.
Sipas partisë kryesore opozitare, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme sepse kryeministri Kurti po e rrezikon të ardhmen e Kosovës.
“Sot kemi vetëm diçka që nuk e ka paramenduar askush: sanksione dhe masa ndëshkuese. Po bëhet një vit prej se Kosova është bërë lajm në media ndërkombëtare, si vend që prodhon krizë. E veçmas muaji i fundit e ka nxjerrë në pah këtë anë kritike me të cilën portretizohet Kosova. Nuk ka forum rajonal e ndërkombëtar për çështje sigurie, ku të mos përmendet Kosova si faktor destabilizues. Nuk ka pasur kurrë më shumë analistë ndërkombëtar, gazetarë, ish politikanë dhe politikanë aktualë, që kanë folur për Kosovën me pikëpyetje të mëdha rreth rrugës që po ndjek vendi ynë – rrugën e përplasjes direkte me aleatët tanë. Dhe natyrisht, krye lajmi ogurzi për Kosovën kanë qenë pikërisht sanksionet”, shtoi Krasniqi.
Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës ka miratuar Deklaratën prej 10 pikash, përmes të cilave PDK kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme dhe ka marrë vendim që të pezullojë çdo komunikim zyrtar me Kryeministrin Albin Kurti dhe Presidenten Vjosa Osmani-Sadriu, përveç në situata të jashtëzakonshme apo emergjente.
Deklaratë e Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës
Prishtinë, 3 korrik 2023