Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka shprehur shqetësimin për dështimin e seancës së sotme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar moskonstituimin e tij si vazhdim të bllokadës institucionale nga ana e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Përmes një komunikate për media, PDK ka vlerësuar se seanca e sotme dëshmoi se zvarritja e krijimit të institucioneve nuk është pasojë e mungesës së votave apo e rrethanave, por rezultat i një zgjedhjeje politike të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit.
Sipas PDK-së, nuk ka pasur asnjë arsye që të mos propozohej kandidati për kryetar të Kuvendit dhe të procedohej me votimin për konstituimin e tij, duke theksuar se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë se Kuvendi duhet të konstituohet brenda afatit 30-ditor nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve.
Në komunikatë thuhet se mosveprimi i sotëm përbën shpërfillje të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues dhe të detyrimeve që burojnë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
PDK ka ritheksuar se Kosova ka nevojë urgjente për institucione funksionale, stabilitet politik dhe respektim të plotë të Kushtetutës.
Në fund, Partia Demokratike e Kosovës i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit që të respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, të heqin dorë nga bllokada institucionale dhe të mundësojnë menjëherë konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës