Dega e Partisë Demokratike në Fushë Kosovë reagon ndaj një të pavërtete në Raportin e Demokracisë në Veprim, ku thuhet se PDK-ja në Fushë Kosovë ka përdorur gjuhë të urrejtjes në baza etnike.
Dega e PDK-së asnjëherë nuk ka përdorur gjuhë të urrejtjes ndaj askujt e aq më pak në baza etnike. Nëse Demokracia në Veprim i është referuar një termi që kandidati për deputet Rrahim Ternava e ka përdorur në një takim në Fushë Kosovë, sqarojmë opinionin se termi “jugosllav” i përdorur nga ai ka pasur të bëjë me mënyrën dhe mendësinë me të cilën qeveriset Komuna e Fushë Kosovës, e assesi nuk ka pasur qëllim gjuhën e urrejtjes ndaj komuniteteve.
Dega e Partisë Demokratike në Fushë Kosovës është kundër gjuhës së urrejtjes dhe kundër çdo etiketimi e diskriminimi etnik, fetar a gjinor dhe për PDK-në janë të papranueshme.
Kryetari i Degës së PDK-së në Fushë Kosovë dhe kandidati për deputet Rrahim Tërnava gjithnjë ka qenë i zëshëm kundër çdo diskriminimi apo përdorimit të gjuhës së urrejtjes ndaj kujtdo. Ai mbrëmë ka zhvilluar takim me komunitetin RAE në Fushë Kosovë, ku ka marrë mbështetje për kandidaturën e tij për deputet.