Partia Demokratike e Kosovës, dega në Lipjan ditë më parë ka reaguar për keqpërdorimin e parasë publike nga zyra e prokurimit në komunën e Lipjanit me rastin e nënshkrimit të një kontrate për vendosjen e kabinave dezinfektuese dhe mirëmbajtja e tyre për tre muaj.
Kjo kontratë si rastësi sipas tyre është lidhur me kompaninë e njëjtë e cila po e bën edhe dezinfektimin e hapësirave publike. Duke filluar nga titulli i kontratës së fundit për kabinat dezinfektuese vërehet manipulimi sepse komuna është dashur t’i vendos dy të tilla por në praktikë ka vendosur vetëm një tek Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare.
Sipas kontratës vlera për një kabinë së bashku me furnizim për tre muaj ka kushtuar gjithsejtë 1.980 euro, ndërkaq në këtë kontratë i është shtuar edhe vlera për kabinën e dytë me të njëjtin çmim. Ne i bëjmë thirrje komunës që stacioni i dytë dezinfektuese të vendoset në fshatin Gadime sepse ky fshat ka numrin më të madh të banorëve dhe se banorët e këtij fshati me vetiniciativë e kanë bërë disa herë dezinfektimin e hapësirave publike pasi që janë anashkaluar nga komuna.
PDK dyshon se komuna nuk po e vendos stacionin e dytë dezinfektues derisa të arrijmë në fund të situatës së pandemisë për shkak që dikujt t’i mbetet diçka në xhepa sepse edhe ashtu LDK-ja e ka traditë t’i mbajë duart në xhepa. -Qytetar të nderuar.
Përveç kësaj ne shprehim shqetësime edhe për kontratën “Dezinfektimi, Deratizimi dhe Dezinsektimi i hapësirave dhe objekteve publike” e cila është lidhur me çmimin më të lartë prej 48 centë për një metër katrorë.
Lidhur me këtë kontratë Komuna e Lipjanit ka paraparë 75150 metër katrorë me shumën totale për pagesë gjithsej 36,072.00 euro. Për këtë shërbim kemi marrë si model Komunën e Shtimes, ku kontraktimi i sferës së njëjtë shkon në 0.35.cent për një metër katrorë, andaj komuna e Lipjanit në këtë situatë ka dëmtuar buxhetin e taksapaguesve prej dhjetë mijë eurosh.
Nëse e krahasojmë me vitin e kaluar ky keqmenaxhim për dezinfektim të hapësirave publike kalon në një shkallë edhe më të keqe pasi që më 2019 është kontraktuar kompania me 0.28 cent, ndërkaq më 2020-n është për shërbimet e njëjta është kontraktuar me 48 cent. Prandaj, ky çmim është rritur në kohë të pandemisë derisa të gjitha institucionet po kërkojnë që mos të rriten çmimet, andaj me këtë kontratë ka dëmtuar buxhetin e taksapaguesve në shumë prej 15030 euro.
Qytetar të nderuar, keqqeverisja e kësaj komuna kalon në një shkallë edhe më të lartë derisa në krahasim me vitin e kaluar janë rritur sipërfaqet për dezinfektim të hapësirave të brendshme publike.
Prandaj në vitin e kaluar Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare ka pasur gjithsejtë 900 metra katrorë sipërfaqe, ndërkaq sivjet për të njëjtin shërbim ky institucion sipas kontratës figuron se i ka 4000 metra katrorë. Për këtë manipulim dhe fryrje të hapësirave publike dhe për manipulimet tjera me rastin e shpenzimit të parasë publike në kohë të pandemisë kërkojmë hetime nga Prokuroria e Shtetit.
Ne si opozitë do të vazhdojmë t’i publikojmë dhe t’i denoncojmë rastet e tilla që dëmtojnë buxhetin e taksapagueve të komunës sonë.