Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra dhe Koordinatori për Financa në KQM, Arben Mustafa, në një konferencë për medie, kanë denoncuar vendimet e partisë në pushtet, mbrëmë në Kuvendin e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Sipas tyre, përmes këtyre ligjeve, në njërën anë përjashtojnë veteranët e UÇK-së nga përfshirja në pagën minimale dhe, në anën tjetër, në themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, kanë zgjatur afatin kohorë të hetimit deri më 31 dhjetor të vitit 2000.
Deliu-Kodra ka thënë se nga 12 qershori, kur në Kosovë ka hyrë NATO dhe OKB, nuk ka pasur as luftë dhe as krime që mund ti përvishen UÇK-së, siç ka pretenduar Serbia, e sot, fatkeqësisht, edhe qeveria e Albin Kurtit.
“Serbia ka dërguar me mijëra dokumente e fabrikime kundër UÇK-së në Hagë. Përmes kalimit të këtij ligji, në këtë lloj forme, Qeveria i ka përforcuar këto akuza kundër UÇK-së. Kryeministri Kurti ka mashtruar në deklarimin e tij publik mbrëmë, duke iu drejtuar qytetarëve se kohëzgjatja e hetimit të këtij instituti shtrihet vetëm gjatë luftës në Kosovë, 98-99. Ky është një mashtrim i radhës. Kryeministri deklarohet në Facebook ndryshe, ndërsa, në fakt, kohazgjatja e hetimit të këtyre krimeve është deri në 31 dhjetor të vitit 2000”, ka thënë Deliu-Kodra.
Ajo e ka quajtur këtë vendim të Qeverisë si skandal i radhës, për të cilin, nuk do të qëndrojnë të heshtur dhe, natyrisht, në koordinim me Radojçiqin përmes shefes së Grupit të tyre Parlamentar, Mimoza Kusari-Lila.
“Cilat janë ato krime të cilat kanë ndodhur pas mbarimit të luftës në Kosovë dhe për çfarë krime po flet ky kryeministër, i cili, bashkë me bashkëpartiakët e tij, mbrëmë, në terr, ka marrë një vendim të padinjitetshëm dhe antikombëtar dhe të cilat shkojnë në linjë me fabrikimet kundër UÇK-së. PDK do të jetë konsistente për të ndalur këtë qasje antikombëtare të kësaj Qeverie e cila koordinohet me Radojçiqin– në marrjen e vendime në dëm të interesave të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës”, ka përfunduar deputetja Deliu-Kodra.
Koordinatori për Financa në kuadër të KQM-së, Arben Mustafa, e ka quajtur vendim tjetër skandaloz të Qeverisë së Albin Kurtit, përjashtimin e veteranëve nga rritja sado e vogël e pagës minimale.
“Arsyeja e lidhjes së pensionit të veteranit të luftës çlirimtare me pagën minimale ka qenë vlerësimi se aq para i nevojiteshin një familje kosovare që t’i plotësonte nevojat minimale të jetesës. Këtu nuk duhet harruar se përfituesit e pensionit të veteranit varen vetëm nga ky burim i të hyrave sepse nuk kanë të drejtë punësimi. Por, çka po ndodhë sot? Qeveria e Kosovës me vendimin për përjashtimin e veteranëve nga rritja e pagës minimale po konstaton se për një familje Kosovare që ka një të punësuar nuk mjafton një pagë minimale prej 170 euro për t’i plotësuar nevojat bazike të jetesës por i duhen 264 euro, ndërsa një familje e veteranit të UÇK-së duhet të mjaftohet me 170 euro”, ka thënë Mustafa.
Sipas tij, ky vendim paraqet një diskriminim të paskrupullt ndaj një kategorie të qytetarëve më fisnikë të këtij vendi.
“Në fakt, nga këta njerëz që luftëtarët e lirisë i krahasojnë me mercenarë dhe ankohen për ta te Slavko Simici e Milan Radojqiqi nuk mund edhe të pritej ndonjë gjë më e mirë”, ka thënë më tej Mustafa.
Mustafa ka thënë se PDK nuk do të heqë dorë nga kërkesat për t’u siguruar një jetë më të dinjitetshme atyre që i dolën zot Kosovës kur kishte më së shumti nevojë.
“Në momentin që ky ligj del në gazetën zyrtare, PDK do të marrë të gjitha masat për ndryshim-plotësimin e këtij ligji”, ka thënë Mustafa.
Për më tepër, Mustafa ka thënë se ky nivel i pagës minimale paraqet vetëm edhe një dorëzim tjetër të kësaj qeverie para nevojave të qytetarëve të Kosovës për përmirësim të kushteve të jetesës.
“Kjo pagë minimale ishte propozuar nga kjo Qeveri vite më parë dhe nga qytetarët dhe përfaqësuesit e punëtorëve ishte konsideruar si e pamjaftueshme për t’i plotësuar nevojat minimale për jetesë të një familje kosovare. Në ndërkohë, në Kosovë ka ndodhë një rritje shumë e madhe e çmimeve, që po varfëron çdo ditë e më tepër qytetarët e Kosovës. Produkte të shumta bazike kanë shënuar rritje prej mbi 40 e 50%, ndërsa energjia elektrike e tatimi në pronë janë rritur me mbi 100%”, ka përfunduar Mustafa.