Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në takimin që ka zhvilluar sot me punonjësit shëndetësorë nga mbarë komuna e Ferizajt, ka shpalosur platformën për sektorin e shëndetësisë në këtë komunë dhe ka thënë se në mandatin e ardhshëm katërvjeçar, nën drejtimin e Agim Aliut, ferizajasit do të përfitojnë një spital të ri rajonal, Qendrën diagnostike, tri qendra të mjekësisë familjare, si dhe dixhitalizimin e shërbimeve shëndetëore.
“Me kryetar Agim Aliun, njeriun i cili e ka dëshmuar veten me rezultate konkrete, me lidershipin e tij, përfundimisht do t’i jepet fund trajtimit të mjerë të ferizajasve dhe do të hapet një kapitull i ri i ku shëndetësia do të jetë prioritet, me shërbime cilësore shëndetësore për një jetë të dinjitetshme e të sigurt për të gjithë ferizajasit”, ka thënë Veseli para mantelbardhëve ferizajas.
Ai theksoi se tash e tre vjet nuk ka pasur rritje të pagave për punonjësit shëndetësorë dhe se me rritjen e buxhetit për shendetësi do të rriten edhe pagat për punonjësit shëndetësorë, si dhe shtoi se me Agim Aliun kryetar, do të ketë edhe siguri për pagesat e punëtorëve të angazhuar dhe vazhdimin e bashkëpunimit me organizata të ndryshme relevante.
I pranishëm në këtë takim ishte edhe ministri i Shëndetësisë ngaa radhët e PDK-së, Uran Ismaili, i cili konfirmoo se në ditën e dytë të fillimit të mandatit të kryetarit Agim Aliu do të nisë ndërtimi i spitalit rajonal të Ferizajt.
“Do të investojmë në avancimin e infrastrukturës së domosdoshme për shërbimet shëndetësore, në kompletimin e pajisjeve të nevojshme për t’i mundësuar stafit mjekësor kushte për punë, kurse pacientëve shërbime të shpejta e efikase”, ka thënë Ismaili gjatë takimit, duke shtuar se garancë për këtë do të jetë edhe bashkëpunimi i ngushtë i kryetarit Agim Aliu me qeverinë qendrore në Prishtinë.
Nga ana tjetër, kandidati për të parin e Ferizajt, Agim Aliu, ritheksoi se edhe në mandatin e ardhshëm katërvjeçar do të jetë në shërbim të të gjithë ferizajasve, pa dallim nga përcaktimi i tyre politik.
Ai tha se ndër prioritetet kryesore të qeverisjes së tij do të jetë shëndetësia dhe hapja e vendeve të reja të punës.