PDK sërish në Kushtetuese, konteston zgjedhjen e Qeverisë “Kurti 4”

Prishtinë | 15 Sht 2026 | 08:58 | Nga Ekonomia Online

Partia Demokratike e Kosovës i është drejtuar edhe sot Gjykatës Kushtetuese, raporton Ekonomia Online.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, dhe deputeti i kësaj partie, Përparim Gruda, kanë dorëzuar në Kushtetuese kërkesën për kontestimin e vendimit për zgjedhjen e Qeverisë së re.

Nga PDK-ja kanë deklaruar se mënyra e konstituimit të Kuvendit dhe procedurat e ndjekura pas tij kanë probleme kushtetuese, ndaj dhe ka kërkuar që Gjykata Kushtetuese të vlerësojë ligjshmërinë e vendimit për zgjedhjen e Qeverisë.

Kujtojmë se edhe një ditë më parë, PDK iu drejtua Kushtetueses lidhur me konstituimin e legjislaturës së 11-të e cila e votoi qeverinë Kurti 4, pasi zgjodhi kryetaren dhe 4 nënkryetarët e Kuvendit.

Sipas partisë më të madhe opozitare, Albin Kurti dhe partia e tij shkelën afatet kushtetuese me qëllim.

Pas dorëzimit të lëndës, Tahiri tha se Kuvendi aktual, sipas vlerësimit të PDK-së, është i pakonstituuar dhe pa legjitimitet të plotë.

“Sot bashkë, bashkë përsëri me Përparimin, që ju kemi paralajmëruar edhe dje, jemi këtu te Gjykata Kushtetuese, ku e deponuam kërkesën tonë për me e trajtuar edhe po ashtu çështjen e votimit të Qeverisë”, tha Tahiri.

Ai theksoi se, sipas PDK-së, Gjykata Kushtetuese duhet të ndërhyjë për të rikthyer, siç u shpreh ai, ligjshmërinë dhe respektimin e rendit kushtetues.

“Pra, ky Kuvend, i cili tashmë ka dilema dhe është i vlerësuar prej anës tonë që është i pakonstituuar dhe pa legjitimitet të plotë, patjetër që duhet t’i vendoset masa dhe duhet të kthehet ligjshmëria nga Gjykata Kushtetuese”, deklaroi ai.

Tahiri paralajmëroi se PDK-ja do t’i drejtohet Kushtetueses edhe për vendime të tjera që mund të merren nga Kuvendi.

“Sepse secili vendim që derivon nga ky Kuvend i pakonstituuar, ne do ta deponojmë në Gjykatën Kushtetuese dhe do të kërkojmë ligjshmëri”, tha ai.

“Sot e bëmë për Qeverinë, e cila është votuar me datën 13, dhe po ashtu po paralajmëroj edhe njëherë se secilat vendime apo secilat akte juridike që dalin, ne do t’i sfidojmë në Gjykatën Kushtetuese, për shkak se konsiderojmë se është shumë e rëndësishme që vendi me u kthy në binarë kushtetues”, përfundoi Tahiri.

Të ngjashme