PE-ja e njeh Guaidon si president të përkohshëm të Venezuelës

Prishtinë | 31 Jan 2019 | 15:42 | Nga Ekonomia Online

Parlamenti Evropian e njohu presidentin e vetëshpallur të Venezuelës, Juan Guaido, si udhëheqës de facto të këtij shteti, duke rritur kështu presionin ndërkombëtar mbi presidentin socialist të Venezuelës, Nicolas Maduro.

Ligjvënësit e BE-së votuan me 429 vota për, 104 kundër dhe 88 abstenime në një sesion të posaçëm në Bruksel.

Ndonëse votimi nuk është i obligueshëm, Parlamenti Evropian, përmes një deklarate, kërkoi nga 28 qeveritë e BE-së ta konsiderojnë Guaidon “të vetmin president të përkohshëm legjitim” derisa të ketë “zgjedhje të reja presidenciale në Venezuelë, të lira, transparente dhe të besueshme”.

Guaido është vetëshpallur president javën e kaluar, pas protestave masive kundër Maduros.

Maduro ka nisur këtë muaj mandatin e dytë gjashtëvjeçar, por zgjedhjet, që janë mbajtur vitin e kaluar, janë konsideruar gjerësisht si jolegjitime.

Nën udhëheqjen e Maduros, ekonomia e Venezuelës ka rënë ndjeshëm, duke çuar në inflacion të lartë, mungesa ushqimesh dhe ndërprerje të rrymës.

Maduro këmbëngul se nuk do të largohet nga pushteti dhe ai e ka mbështetjen e ushtrisë.

Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, shumica e vendeve në Amerikën Latine dhe të tjera e kanë njohur Guaidon si president të përkohshëm.

Rusia, Turqia, Siria janë në mesin e vendeve që janë radhitur përkrah Maduros.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme