PE-ja ndalon veturat me naftë dhe benzinë nga viti 2035

Prishtinë | 14 Shk 2023 | 15:50 | Nga Ekonomia Online

Parlamenti Evropian zyrtarisht ka miratuar ligjin që ndalon shitjen e makinave të reja me naftë dhe benzinë në Bashkimin Evropian duke nisur nga viti 2035. Ky vendim synon që të përshpejtojë përdorimin e makinave elektrike për të luftuar ndryshimet klimatike.

Ligji i ri do të kërkojë që nga viti 2025, kompanitë që prodhojnë makina të arrijnë që deri në 100 për qind të shkurtojnë emetimet e dyoksidit të karbonit për makinat e reja që do të shesin. Kjo do të parandalojë që të ketë makina të reja që funksionojnë me karburante fosile në 27 shtetet e bllokut evropian.

Ligji i miratuar po ashtu parasheh shkurtim prej 55 për qind të dyoksidit të karbonit për makinat e reja nga viti 2023 në krahasim me nivelet e vitit 2021.

“Kostot e funksionimit të makinave elektrike veçse janë të ulëta se kostot e një automjeti që ka motor me djegie të brendshme”, tha Jan Huitema, negociatori kryesor i PE-së për këtë vendim. Ai tha se ky ligj do të mundësojë që makinat elektrike të jenë më të lira për konsumatorët.

Shtetet e BE-së ishin pajtuar për këtë marrëveshje tetorin e vitit të kaluar, por ligji duhet të marrë miratimin zyrtar në mënyrë që të hyjë në fuqi. Miratimi final pritet të ndodhë në mars./REL

Të ngjashme